Lidhje

Përpjekjet e rimëkëmbjes pas uraganit Michael


Banorët e qyteteve bregdetare të Floridës, Panama City dhe Mexico Beach po punojnë me intensitet për shpëtimin e asaj që ka mbetur pas rrafshimit, apo dëmtimit të rëndë të shtëpive të tyre, kur uragani Michael goditi shtetin jugor amerikan javën e kaluar. Që nga 10 tetori, numri i viktimave ka arritur në 19 vetë. Rimëkëmbja e këtyre qyteteve bregdetare pritet të marrë me vite të tëra:

Mexico Beach pësoi goditjen më të rëndë në historinë e qytetit nga uragani. Pjesë të këtij qyteti bregdetar u rrafshuan plotësisht. Banorëve që u kthyen për të parë ç’ka mbetur nga shtëpitë e tyre, u duhet të kalojnë me kujdes në mesin e pemëve të rrëzuara, shtyllave të elektrikut dhe rrënojave. Policia lokale dhe shërbimet federale të emergjencës po ofrojnë ndihmë. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimin për të mbijetuar.

"Kemi me vete katër qenushë dhe duhet të përgatitemi të marrim viktimat që mund të kenë zbuluar mes rrënojave ekipet e shpëtimit,”- thotë një punonjës e shëndetësisë.

Shefi i policisë në Mexico Beach, Anthony Kelly, thotë se officerët i njohin personalisht shumë prej banorëve:

"Për ta i gjithë procesi i kërkimit është diçka shumë emocionale.”- thotë ai.

Ai thotë se anëtarët e ekipit të tij dhe shërbimeve të tjera të emergjencës po përpiqen me të gjitha mënyrat që të ndihmojnë.

"Një prej oficerëve të zjarrfikësve eci në këmbë për 10-12 milje, për të ardhur dhe ndihmuar në Mexico Beach. Disa të tjerë erdhën për të ndihmuar nga Route 386, duke ecur në mesin e lumenjve të ujit menjëherë pas stuhisë”, - thotë shefi i policisë.

Çështja më urgjente tani për tani është mungesa e ujit të pijshëm dhe prishja e një sistemi kanalizimi të ujrave të zeza.

"Njerëzit duhet të kenë kujdes me ujin e pijshëm, se mund të jetë i ndotur. Pra ka për të patur për disa kohë probleme me higjenën dhe me shëndetin publik, sa të rregullohet sistemi i kanalizimeve,”- thotë një punonjës i shëndetësisë.

Kjo gjendje mund të vazhdojë për disa kohë. Të mbijetuar nga uraganet e mëparshme në Florida thonë se rindërtimi i komuniteve të goditura nga uagani mori shumë vite.

"Kemi parë uraganin Andrew në Floridën jugore, rimëkëmbja merr kohë. Në fillim duket shumë e vështirë, nuk di nga t’ja fillosh, por gradualisht situata do të përmirësohet, edhe pse do të marrë vite,”- thotë një punonjëse e shëndetësisë.

Uragani Andrew që goditi Floridën në vitin 1992, ishte stuhia më shkatërrimtare, por 25 vjet më vonë erdhi një uragan edhe më i fortë, Irma. Michael është uragani i tretë më i fuqishëm që godet Shteteet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG