Lidhje

Vazhdon vala e emigrantëve drejt Evropës


Zyrtarët italianë kanë paralajmëruar se besueshmëria e Bashkimit Evropian po kërcënohet pas shtimit të emigrantëve që përpiqen të arrijnë në brigjet evropiane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell njofton nga Londra se dhjetëra mijëra emigrantë po shfrytëzojnë destabilitetin në Libit për të ndërmarrë udhëtimin e rrezikshëm përmes detit Mesdhe.

Më shumë se 5 mijë emigrantë u kapën nga marina italiane javën e kaluar. Pamjet filmike tregojnë anijet ushtarake që u afrohen anijeve të tejmbushura me njerëz, përfshi edhe gra shtatzëna dhe fëmijë.

Rreth 5 njerëz vdiqën kur varka e tyre u përmbys ndërsa përpiqeshin të kalonin në një anije shpëtimi. Mendohet se ata ngecën poshtë varkës së përmbysur.
Fluksi tregon se 2014-a mund të bëhet vit rekord i arrdhjes së migrantëve në Evropën jugore, thotë përmes skajpit Ewa Moncure e agjencisë Frontex për kufijtë e Bashkimit Evropian.

“Për momentin në pjesën qendrore të Mesdheut kemi mbi 40 mijë emigrantë kryesisht nga Libia. Libia është bërë pika më e rendësishme e tranzitit dhe nisjes për migrantët nga e gjithë Afrika.”

Shumë grupe të armatosura po përpiqen të marrin pushtetin dhe ky kaos ka çuar në largimin e popullsisë, thotë zonja Moncure.

“Kontrolli kufitar në Libi është i dobët çfarë e bën edhe më të lehtë që trafikantët t'u marrin para atyre që i nisin me anije drejt Evropës.”

Shumë prej emigrantëve thjeshtë kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë. Por ka edhe mes atyre që po u largohen konflikteve në Siri dhe Eritre.

Pas fundosjes së një anijeje me emigrantë pranë brigjeve italiane vitin e kaluar, ku humbën jetën 360 njerëz, marina italiane ka ndërmarrë vazhdimisht operacione kërkim shpëtimi. Ministri i Brendëshëm italian Angelino Alfano i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndajnë barrën.

“A kanë nevojë t'u themi se në Detin Mesdhe na duhet një ndërhyrje evropiane, me një vendim të qartë për të vënë flamurin e BE-së në operacionet e shpëtimit ? A duhet t’u shpjegojmë përsëri se ata që vijnë me anije janë azil kërkues dhe se nuk duan të qendrojnë në Itali por të shkojnë në vende të tjera evropiane?”

Sipas rregullave të bllokut, azil kërkuesit duhet të aplikojnë në vendin e parë ku mbërrijnë. Autoritetet në Maltë dhe Itali thonë se janë tejet të renduar nga kërkesat. Numri i të vdekurve mes emigrantëve shtohet çdo javë.
Marina amerikane shpëtoi rreth 300 emigrantë të shtunën pas lajmit se një anije po fundosej në Mesdhe pranë Italisë. Autoritetet e Bashkimit Evropian kanë thënë se po planifikojnë për shtim të mëtejshëm të migrantëve pasi kaosit politik në Libi ka shenja të pakta për stabilizim.
XS
SM
MD
LG