Lidhje

Militantët pro-rusë zgjerojnë kontrollin në Ukrainën lindore


Një shef i policisë rajonale të Ukrainës njoftoi dorëheqjen e tij, ndërsa militantët pro-rusë marrin ndërtesa të tjera publike.

Shefi i policisë në kryeqytetin rajonal lindor, Donetsk, tha se po jepte dorëheqjen për të përmbushur kërkesat e protestuesve që kishin zënë selinë e policisë.

Një korrespondent i Zërit të Amerikës në vendin e ngjarjes tha se persona të armatosur rëndë e të veshur me uniforma ushtarake morën ndërtesën nën kontroll, në mbështetje të demonstruesve pro-ruse. Personat e armatosur thanë se do të ruanin arsenalin e armëve brenda në ndërtesë.

Militantë pro-rusë kanë marrë sot një stacion policie në rajonin Slovyansk. Ministri i jashtëm i Ukrainës Andrii Deshchytsia i kërkoi Rusisë të ndalojë veprimet "provokuese".

Qeveria ruse ka mohuar dhënien e mbështetjes për militantët.

Sulmet e fundit ndaj ndërtesave publike vijnë një ditë pasi kryeministri i përkohshëm i Ukrainës ofroi falje të udhëheqësve rajonalë dhe protestuesve pro-rusë, pas mbarimit të afatit të Kievit brenda të cilit kërkohej që separatistët të lironin ndërtesat shtetërore që kanë bllokuar.

Pas një takimi dje me qeverinë dhe drejtuesit publikë të Ukrainës, kryeministri Arseniy Yatsenyuk tha se ai mbështet ndryshimin e kushtetutës së Ukrainës dhe ndryshimin e ligjeve për të lejuar guvernatorët rajonalë të kenë autoritet mbi çështjet e zonave të tyre.

"Qëllimi kryesor është t’i përgjigjemi dëshirës së njerëzve për të pasur më shumë pushtet rajonal. Ne do ta zbatojmë këtë angazhim në kuadrin e reformave konstruktive," tha kryeministri Yatsenyuk.

Zoti Yatsenyuk tha se qeveria është e angazhuar në bisedime me udhëheqësit dhe figurat e shquara të rajoneve lindore. Nuk është e qartë nëse lëshimet e propozuara prej tij do të kënaqin militantët në Donetsk, Luhansk dhe qytete të tjera të Ukrainës lindore, të cilët kërkojnë që Kievi të lejojë mbajtjen e një referendumi mbi pavarësinë.

"Ne do të qëndrojmë këtu deri në fund. Fëmijët tanë janë duke punuar në miniera, por kur të fillojnë operacionet e qeverisë për të na larguar, ata të gjithë do të vijnë këtu. Ne do të qëndrojmë, dhe nëse duan të na vrasin, le të na vrasin," u shpreh një protestuese.

"Ne jemi këtu për federalizimin. Ne duam që rajoni ynë të ketë të drejta ekonomike dhe politike më të mëdha," tha një tjetër protestuese.

Qeveria ka ofruar amnisti për ata që dorëzojnë armët dhe largohen nga ndërtesat. Por deri tani, nuk ka pasur asnjë konfirmim që dikush të ketë pranuar marrëveshjen për të shmangur ndjekjen penale. Afati pas të cilit Ukraina do të përdorte forcën për të larguar militantët përfundoi dje, por qeveria nuk ndërmori ndonjë veprim.
XS
SM
MD
LG