Lidhje

Mineapolisi 27 milionë dollarë dëmshpërblim familjes Floyd


Motrat e George Floyd-it, Zsa Zsa Floyd dhe LaTonya Floyd, përqafohen gjatë funeralit të vëllait të tyre në kishën "The Fountain of Praise", në Hjuston, 9 qershor 2020.

Qyteti Mineapolis pranoi të premten të paguajë 27 milionë dollarë për të përmbyllur një proces gjyqësor civil të çelur nga familja e George Floyd-it mbi vdekjen e tij ndërsa mbahej nga policia, edhe pse ndërkohë përzgjedhja e jurisë vazhdonte për gjyqin e ish-oficerit të policisë të akuzuar për vrasje.

Këshilli Bashkiak i Mineapolisit doli nga një seancë e mbyllur për të njoftuar shifrën rekord, e cila përfshin 500,000 dollarë për lagjen ku zoti Floyd u arrestua.

Avokati i familjes Floyd, Ben Crump, në një deklaratë të përgatitur, tha se ishte marrëveshja paraprake më e madhe ndonjëherë për një çështje të të drejtave civile dhe se "dërgon një mesazh të fuqishëm se jeta e afrikano-amerikanëve ka rëndësi dhe brutaliteti i policisë kundër njerëzve me ngjyrë duhet të marrë fund".

George Floyd, i cili ishte afrikano-amerikan, u shpall i vdekur më 25 maj pasi Derek Chauvin, një ish-oficer policie i bardhë, i vendosi gjurin në qafë për rreth nëntë minuta. Vdekja e zotit Floyd shkaktoi disa herë protesta të dhunshme në Minneapolis dhe më gjerë dhe solli një reflektim kombëtar për drejtësinë racore.

"Shpresoj që dita e sotme të përqendrohet tek zërat e familjes dhe gjithçka që ata do të dëshironin të ndanin", tha Kryetarja e Këshillit Lisa Bender. "Por unë dua që, në emër të të gjithë Këshillit Bashkiak, t'i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së George Floyd-it, miqve të tij dhe të gjithë komunitetit tonë që po vajtojnë për humbjen e tij".

Familja e zotit Floyd ngriti padinë federale për të drejtat civile në korrik kundër qytetit, oficerit Chauvin dhe tre oficerëve të tjerë të pushuar nga puna të akuzuar për vdekjen e tij. Ajo pretendonte se oficerët shkelën të drejtat e zotit Floyd kur e ndaluan dhe se qyteti lejoi që një kulturë e forcës së tepruar, racizmit dhe mosndëshkimit të lulëzonte në forcën e tij policore.

Në vitin 2019, qyteti Minneapolis pranoi të paguante 20 milionë dollarë familjes së Justine Ruszczyk Damond, një grua e paarmatosur e cila u qëllua nga një oficer policie pasi ajo i telefonoi numrit të urgjencës për të raportuar se po dëgjonte kryerjen e një krimi të mundshëm që po ndodhte pas shtëpisë së saj.

Padia federale kërkonte dëmshpërblim të papërcaktuar dhe të veçantë në një shumë që do të përcaktohej nga një juri. Ajo gjithashtu kërkonte që të emërohej një zyrtar për t'u siguruar që qyteti të trajnojë dhe mbikëqyrë siç duhet oficerët në të ardhmen.

Ndërkohë, një anëtare tjetër e mundshme e jurisë u shkarkua të premten pasi ajo pranoi se kishte pikëpamje negative për të pandehurin.

Gruaja, e sapodiplomuar nga kolegji, tha se kishte parë videon e filmuar nga një kalimtar të arrestimit të zotit Floyd dhe kishte lexuar nga afër mbulimin e lajmeve për këtë çështje. Në përgjigje të një pyetësori për jurinë, ajo tha se ajo kishte një perceptim "disi negativ" për oficerin Chauvin dhe se ajo mendon se ai e mbajti shumë gjatë gjurin e tij në qafën e zotit Floyd.

"Munda të shikoj vetëm një pjesë të videos, dhe nga ajo që pashë, si njeri, mua kjo nuk më dha përshtypje të mirë", tha ajo. Ajo tha se nuk e shikoi videon e kalimtarit të plotë sepse "unë thjesht nuk mundesha ta shikoja më".

Gruaja në mënyrë të përsëritur tha se mund të linte mënjanë mendimet e saj dhe të vendoste për çështjen bazuar tek faktet, por avokati i oficerit Chauvin, Eric Nelson megjithatë përdori një nga 15 autorizimet që i jep ligji për të përjashtuar anëtarë të jurisë.

Me zgjedhjen e jurisë në ditën e katërt, gjashtë vetë janë përzgjedhur tashmë - pesë burra dhe një grua. Tre janë të bardhë, një është multi-racial, një është hispanik dhe një është afrikano-amerikan, sipas Gjykatësit të Qarkut Hennepin, Peter Cahill.

Gjykatësi Peter Cahill duke folur gjatë seancave paraprake
Gjykatësi Peter Cahill duke folur gjatë seancave paraprake

Gjykatësi Cahill ka caktuar tre javë për seleksionimin e jurisë, dhe deklaratat hapëse do të mbahen jo më shpejt se 29 marsi.

Shkarkimi i shpejtë i së premtes i ngjasonte shkarkimeve pararendëse në këtë çështje, për arsye të ngjashme. Të enjten, një grua u shkarkua pasi tha se "nuk mundej ta shikonte videon" ku oficeri Chauvin mban të mbërthyer në tokë zotin Floyd.

Avokati Nelson e pyeti në mënyrë të përsëritur gruan nëse ajo do të mund të ishte e drejtë pavarësisht nga opinionet e saj të forta.

"Duke parë në zemrën tuaj dhe duke parë në mendjen tuaj a mund të na siguroni se mund t'i lini mënjanë të gjitha ato, të gjitha ato, dhe të përqendroheni vetëm në provat që paraqiten në këtë sallë gjyqi?" - pyeti avokati Nelson.

"Unë mund t'ju siguroj. Por ashtu siç ju përmendët më parë, videoja do të jetë një pjesë e madhe e provave dhe nuk kam asnjë ndryshim mendimi për këtë", u përgjigj ajo.

Identitetet e anëtarëve të mundshëm të jurisë po mbrohen dhe ato nuk tregohen në videon e transmetuar drejtpërdrejtë nga zhvillimi i procedurave.

Oficeri Chauvin dhe tre oficerë të tjerë u pushuan nga puna. Të tjerët përballen me një gjyq në gusht me akuzën se ndihmuan dhe inkurajuan autorin. Mbrojtja nuk ka thënë nëse zoti Chauvin do të dëshmojë për të mbrojtur veten.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG