Lidhje

Ministrat e NATO-s, pa vendim për trupat në Afganistan


Jens Stoltenberg

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s nuk morën vendim në takimin e së enjtes nëse apo kur do të tërhiqeshin nga Afganistani, tha Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, duke shtuar se aleatët përballen me një dilemë ndërsa dhuna po rritet përsëri.

Pas dy dekadash ndërhyrjeje ushtarake perëndimore dhe qindra miliarda dollarë investime, vendet e NATO-s hezitojnë të vënë në zbatim afatin e 1 majit dhe të rrezikojnë progresin drejt demokracisë tani që procesi i paqes është në ngërç.

"Në këtë fazë, ne nuk kemi marrë asnjë vendim përfundimtar për të ardhmen e pranisë sonë," tha zoti Stoltenberg pas një videokonference me ministrat aleatë të mbrojtjes. "Ndërsa afrohet afati i 1 majit, aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të konsultohen nga afër dhe të koordinojnë në javët e ardhshme," i tha ai një konference shtypi.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer tha të mërkurën se talibanët duhet të bëjnë më shumë për të përmbushur kushtet e marrëveshjes së tyre të paqes në vitin 2020 me Shtetet e Bashkuara për të lejuar tërheqjen e trupave të huaja.

Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken diskutoi për këtë çështje në një telefonatë të mërkurën me presidentin afgan Ashraf Ghani, duke përsëritur mbështetjen e SHBA për procesin e paqes, tha Departamenti i Shtetit.

Sulmet në Afganistan, duke përfshirë një bombë që vrau zv / guvernatorin e kryeqytetit Kabul në dhjetor, kanë bërë që anëtarët e Kongresit amerikan dhe grupeve ndërkombëtare të të drejtave të bëjnë thirrje për një shtyrje të tërheqjes, për të cilën u ra dakord kur Donald Trump ishte president i SHBA.

"Ne jemi përballur me shumë dilema dhe nuk ekzistojnë zgjidhje të lehta", tha Stoltenberg.

"Nëse qëndrojmë përtej 1 majit, ne rrezikojmë më shumë dhunë, më shumë sulme kundër trupave tona ... Por nëse largohemi, atëherë do të rrezikojmë gjithashtu që fitoret e arritura të na humbasin."

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Lloyd Austin premtoi të konsultohet me aleatët dhe partnerët për rrugën përpara, shtoi Stoltenberg.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG