Lidhje

Shqipëri: Punë e rëndë dhe e papaguar e grave


Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim publikoi sot një studim mbi kushtet e rënda të punës dhe të jetesës së grave dhe vajzave shqiptare në industrinë tekstile, veshje dhe këpucë.

Shqipëria ka nivelin më të ulët në rajon të pagës minimale zyrtare 22000 lekë, ose rreth 200 usd, por as atë punëtoret e fabrikave të tekstitlit dhe këpucëve nuk e marrin të plotë.

Nga një mori intervistash me to, del se afro gjysma e këtyre punëtoreve të firmave fason nuk e marrin dot as pagën minimale sepse nuk realizojnë dot normat e larta të prodhimit gjatë punës dhe gjobiten rregullisht për këtë.

Ato nuk e arrijnë dot pagën minimale edhe pse punojnë më shumë se 8 orë në ditë, edhe pse punojnë çdo të shtunë.

Kushtet e vështira të punës në këto biznese me shumicat e punëtorëve gra e vajza pasohen edhe nga mungesa e informacionit për to.

INSTAT pohon se në firma fason punojnë rreth 28 mijë vetë, ndërsa Dhoma e Fasonëve thotë se në këtë sektor punojnë afro 70 mijë vetë.

Pas këtij disniveli, pohojnë autorët e studimit, fshihet një numër i madh punëtorësh pa të drejta dhe pa sigurime.

Studimi zbuloi një seri ndëshkimesh që u japin këtyre punëtoreve të mbijetesës, që nga mospagesa e orëve shtesë dhe normave shtesë të punës, deri te mospagimi i sigurimeve shoqërore të detyrueshme, që janë shkelje të hapura të të drejtave njerëzore dhe ligjeve në fuqi.

Sipas tyre, as puna ditën e shtunë nuk vlerësohet si orë pune shtesë, por si ditë e zakonshme pune.

Punëtoret e fabrikave fason nuk marrin pushimet vjetore sipas ligjit, dhe nuk paguhen për pushimet e pakta që marrin.

Pronarët nuk u japin atyre asnjë shpjegim si për mënyrën si llogariten pagat dhe orët shtesë.

Kur firma nuk ka prodhim të porositur, punëtoret detyrohen të rrinë në shtëpi dhe pa paga.

Nga intervistat doli se pjesa dërrmuese e punëtoreve në këto firmave nuk kanë kopje të kontratës së punës, nuk lejohen ta lexojnë atë dhe për çdo ankesë ndëshkohen me largim nga puna.

Një temë më vete në shkeljet ligjore të kushteve të punës janë edhe rreziqet nga lëndët toksike që ndotin ajrin dhe mushkëritë e punëtoreve.

Gjendja rëndohet më tej nga mungesa e sindikatave.

Nga intervistat e punëtoreve doli se sindikatat kanë marrëdhënie të mira me drejtuesit dhe heshtin.

Krahas mungesës së të dhënave mbi punëtorët, po ashtu është i panjohur edhe numri i firmave shqiptare të industrisë së këpucëve e tekstileve dhe për cilat firma të huaja prodhojnë ato.

Informaliteti i ekonomisë shqiptare llogaritet rreth 35% e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto deri tre vjet më parë dhe përqindjen më të lartë e shënojnë tekstilet dhe këpucët.

Nga 50-70% e punëtorëve në këtë industri vlerësohen të jetë informal, të pambrojtur nga një kontratë pune, pa sigurime shoqërore.

XS
SM
MD
LG