Lidhje

Lidhja e konsumit të mishit të kuq me diabetin


Sipas një studimi të ri, konsumi i tepërt i mishit të kuq rrit rrezikun e diabetit të tipit 2. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Jessica Berman, një ekspert thotë se problemi nuk qëndron thjesht tek fakti që është mish i kuq.

Mjekët prej kohësh i kanë këshilluar pacientët që të kufizojnë konsumin e mishit të kuq, përfshirë atë të viçit dhe qengjit, për shkak të lidhjes me sëmundjen e zemrës. Vitin e kaluar, studiesit në Fakultetin e Shëndetit Publik të Universitetit Harvard njoftuan edhe për rritjen e rrezikut për Diabetin e tipit 2 tek të rrriturit. Një studim i ri i Departamentit të Vlerave Ushqyese të Harvardit, i hedh një vështrim një pyetjeje tjetër.

“Çfarë ndodh kur ndryshon konsumin e mishit të kuq? Në këtë studim, ne arritëm në përfundimin se ata që rritën konsumin e mishit të kuq, rritën edhe rrezikun e diabetit të tipit 2 dhe ata që e pakësuan konsumin, ulën edhe rrezikun për këtë diabet”.

Kreu i Departamentit Walter Willett bashkëpunoi me studiuesit e Universitetit Kombëtar të Singaporit në një studim katër vjeçar.

Në studim u ndoq ecuria e 149 mijë pjesëmarrësve dhe u dokumentuan 7 mijë e 540 raste të reja me diabet mes atyre që e shtuan konsumimin e mishit të kuq gjatë periudhes së studimit, ose një rritje prej 48 për qind rrezikshmërie.

Rreziku ra me 14 për qind tek pjesëmarrësit që e pakësuan konsumin e mishit të kuq.

“Sigurisht nuk është problemi tek fakti që mishi është i kuq”.

Bill Evans është specialist në kompaninë e prodhimeve farmaceutike, GlaxoSmithKline.

Evans shpjegon se mishi është i kuq sepse përmban një protein të quajtur mioglobinë që qarkullon hekur dhe oksigjen në trupin e njeriut. Kjo proteinë nuk është lidhur me rritjen e rrezikshmërisë së sëmundjes së zemrës ose diabetit. Problemi është tek llojet e dhjamit që gjenden tek mishi.

“Mendoj se fajtori kryesor në mishin e kuq dhe ushqime të tjera është sasia e dhjamit, e yndyrës. Prandaj mund të hash një biftek me dhjamë dhe të marrësh të njëjtën sasi yndyre si edhe në një copë të madhe djathi”.

Evans thotë se edhe mishi i pulës ka më shumë yndyrë të dëmshme sesa mishi i kuq pa dhjamë.

Por Walter Willett i Universitetit të Harvardit thotë se ka shumë faktorë të paidentifikuar në zhvillimin e diabetit dhe yndyra në ushqim është vetëm një prej tyre.

Një studim për zhvillimin e diabetit dhe konsumin e mishit të kuq dhe një analizë nga Bill Evans janë botuar në revistën JAMA Internal Medicine.
XS
SM
MD
LG