Lidhje

Një muze i ri për historinë e të drejtave civile në Misisipi


Në vitet 1950s dhe 1960, shteti jugor amerikan Misisipi kishte reputacionin si një qendër e racizmit të bardhë, ku zezakët ishin të ndarë me ligj nga të bardhët dhe u mohoheshin shumë të drejta bazë. Lëvizja e të drejtavë civile përballej me armiqësi dhe dhunë në Misisipi deri në momentin kur ligji federal i dha fund ndarjes sipas racës atje dhe në shtete të tjera jugore në mes të viteve 1960. Të enjten, më 24 tetor, do të mbahet në kryeqytetin Jackson një ceremoni për fillimin e punimeve për një muze që do të rrëfejë historinë e asaj beteje.

Projekti parashikon ndërtimin e dy muzeumeve në të njëjtin vend. Njëri do të tregojë historinë e shtetit dhe tjetri do të analizojë një pjesë të dhimbshme të asaj historie, sipas Drejtorit të Arkivave dhe Historisë së Misisipit, Hank Holmes.

"Muzeu i të Drejtave Civile të Misisipit analizon në detaje historinë e lëvizjes moderne të të drejtave civile në Misisipi, një pjesë 30 vjecare e historisë së përgjithshme që paraqitet në Muzeun e Historisë së Misisipit”.

Si pjesë e planifikimit për muzeumet, zoti Holmes thotë se zyrtarët mbajtën takime në gjithë shtetin ku qytetarët e zakonshëm shprehën pikëpamjet e tyre për të drejtat civile dhe marrëdhëniet racore.

"Megjithëse është shënuar shumë përparim, njërzit thonë se ende mbetet shumë për të bërë në drejtim të mirëkuptimit dhe pranimit të njëri-tjetrit. Prandaj nga pamja e jashtme, por edhe në brendësi, mendoj se ka pasur një ndryshim të konsiderueshëm për mirë. Por që shoqëria të bashkohet, si këtu ashtu edhe në pjesë të tjera të vendit, kemi ende shumë për të bërë”.

Zoti Holmes thotë se galeritë e muzeut janë parashikuar të ndërtohen në mënyrë të tillë që vizitorët të njihen gradualisht me historinë dhe të përballen me problemet ende të pazgjidhura.

Jerry Ward, një profesor në pension, ka marrë pjesë në betejën e të drejtave civile në Misisipi, në rininë e tij. Ai thotë se ndërtimi i muzeut është një hap i madh përpara për shtetin.

"Ndërtimi i këtij muzeu në Misisipi është një shenjë se shteti me të vërtetë po ndryshon”.

Profesor Ward thotë se di të jetë e veçanërisht e rëndësishme që të angazhohen njerëzit e të gjitha racave që sot përfitojnë nga zhdukja e ndarjes racore, por ndoshta nuk e kuptojnë plotësisht se cfare ndodhi në ato vite të vështira kur mbrojtësit e të drejtave civile përballeshin me përcmim dhe dhunë.

"Ky muze, që mesa di unë është i vetmi muze për të drejtat civile i financuar nga shteti në vend, është ideuar në një mënyrë të tillë që të lejojë pikërisht këtë lloj të mësuari, si pjesë e një procesi ndëraktiv”.

Muzeu do të kërkojë gjithashtu fonde private për konferenca dhe ngjarje ku studiuesit, udhëheqësit e të drejtave civile dhe qytetarë të zakonshëm të diskutojnë hapur historinë dhe përpjekjet e vazhdueshme për të sjellë harmoninë racore dhe pajtimin.
XS
SM
MD
LG