Në Tiranë, Unioni i të Burgosurve Politikë shpalli të hënën nismën për të kërkuar eshtrat e mbi 4 mijë e 500 të zhdukurve nga diktatura komuniste.
Të dënuarit e atij regjimi bënë thirrje për të gjetur trupat e viktimave të komunizmit dhe për të integruar pasardhësit e tyre.
Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë zhvilloi sot Konventën Kombëtare.
Ata e kanë shpallur 2018 vitin e gjetjes së të zhdukurve nga regjimi komunist dhe ndërtimin e një parcele të kujtesës kombëtare me memorialet e tyre.
Drejtuesi i Unionit, Besim Ndregjoni, thotë se 4500 familje presin ende prej 28 vitesh eshtrat e baballarëve, nënave e motrave për t’iu ndërtuar një varr në tokën e tyre.
Në Konventën Kombëtare sollën kujtimet e tyre edhe disa familjarë të pushkatuarve, të burgosurve dhe përndjekurve politikë gjatë regjimit komunist.
Në takimin ku morën pjesë edhe drejtues kryesorë të Partisë Demokratike, të përndjekurit treguan se iu pushkatuan pjesëtarët të familjes dhe si mbijetuan në kalvarin e diktaturës komuniste, duke sjellë sërish mesazhe paqe dhe zhvillimi kombëtar.
Shoqëria shqiptare doli mjaft e dëmtuar nga regjimi komunist, ndërsa mijëra familje shqiptare gjatë afro gjysmë shekulli u dënuan dhe u përndoqën politikisht si kundërshtarë politikë të diktaturës.
Mijëra klerikë dhe qytetarë u dënuan, u pushkatuan dhe u burgosën për shkak të bindjeve të tyre politike dhe lidhjeve me qeveritë e mëparshme, megjithatë trajtimi I këtyre plagëve sociale ende vazhdon me dëmshpërblime për burgime të padrejta.
Facebook Forum