Lidhje

Ekonomia shqiptare sipas studiuesve dhe analistëve


Ndërsa qeveria dhe opozita po zhvillojnë këto ditë debate të ashpra në parlament dhe në dëgjesa me përkrahësit e tyre mbi ekonominë, paketën fiskale dhe marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, studiues dhe analistë të pavarur të ekonomisë japin një këndvështrim më gjakftohtë për çështjet më të mprehta ekonomike. Mitro Çela, një analist me përvojë i çështjeve ekonomike thotë se “viti i ardhshëm do të jetë një vit i vështirë për ekonominë shqiptare, qeveria po merr borxhe për të shlyer borxhe të mëparshme, dhe rritja ekonomike prej 2 për qind është e pamjaftueshme, ndaj rritja duhet të jetë së paku 5 për qind”.

Analistë të tjerë mendojnë se ka ardhur koha që të gjithë të kthejnë sytë tek bujqësia dhe mundësitë e mëdha që ajo ofron për zhvillim ekonomik. Profesori Ismail Beka, një studiues i njohur i ekonomisë shqiptare thotë se politikanët flasin shumë për bujqësinë në fushata zgjedhore, por diskutojnë pak për kapacitetet e fjetura të saj kur vjen koha për buxhetin dhe paketat fiskale. Zoti Beka thotë se “në vështirësitë aktuale që ka ekonomia shqiptare barka më e sigurtë e shpëtimit është bujqësia, ndonëse e di që pakkush do të investojë në sektorin bujqësor vitin e ardhshëm”.


Krahas ekonomistëve dhe studiuesve, me vëmendje të madhe i ndjekin zhvillimet ekonomike edhe analistë me përvojë të gjatë në gazetari. Drejtuesi i redaksisë së informacionit në tv vizion plus, Lutfi Dervishi thotë se “viti i ri ekonomik, që po nis, do të jetë periudha e shumë provimeve të vështira njëherësh për Shqipërinë”. Analistët nga qarqet e gazetarisë theksojnë se afro gjysma e ekonomisë shqiptare vepron në të zezë bashkë me punëtorët e vet, ndaj duhet bërë më parë legalizimi i saj. Studiuesi Bardh Sejdarasi, që drejton organizatën “Biznes Albania” thotë se “mbështetja e FMN-së është e domosdoshme në kushtet ku gjendet ekonomia”.

Eksperët pohojnë që ekonomia duhet të kthehet në normalitet dhe qëndrueshmërinë e kërkuar, megjithë vështirësitë dhe dhimbjet që do të sjellin reformat. Megjithatë publikut i nevojitet më shumë informacion për objektivat ekonomike të vitit të ardhshëm, dhe përse duhen bërë shtrengesat dhe sakrificat e kërkuara.

XS
SM
MD
LG