Lidhje

Mitrovicë, tensionet vështirësojnë furnizimet për banorët


Mitrovicë, tensionet vështirësojnë furnizimet për banorët
Mitrovicë, tensionet vështirësojnë furnizimet për banorët

Sipas marrëveshjes së fundit mes KFOR-i dhe Beogradit për pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës, atje do të lejohen të kalojnë disa lloje automjetesh, duke përfshirë kamionët që transportojnë ndihma humanitare, pasi ata të jenë kontrolluar nga trupat e NATO-s. Deri tani, paqeruajtësit e NATO-s i kanë ndaluar kamionët të hyjnë, sepse siç thonë ata, nuk janë në gjendje t’i inspektojnë ato. Disa banorë në Mitrovicën veriore thonë se kjo po u krijon vështirësi.

Në një spital në pjesën veriore të Mitrovicës, operacionet janë pakësuar në mënyrë për të kursyer pajisjet e domosdoshme mjekësore.

"Jemi udhëzuar për ta ulur numrin e operacioneve, dhe ne këtë po bëjmë, për shkak se kjo situatë mund të zgjasë," thotë Jovan Cvetniç, drejtor i maternitetit në spitalin e Mitrovicës.

Disa nga punonjësit e spitalit pas punës shkojnë tek barrikadat pranë kufirit.

"Situata është e vështirë, sepse pas punës ne duhet të mendojmë për të shkuar në kufi ku janë barrikadat", thotë Cvetniç.

Në dyqanet e Mitrovicës veriore raftet janë gjysmë bosh dhe pronarët e dyqaneve thonë se po u mbarojnë mallrat bazë.

"Çdo gjë vjen në sasi të vogla dhe nuk është e mjaftueshme për të kënaqur kërkesën. Qumështi dhe buka, për shembull, mezi i gjejmë, nuk na ka mbetur fare,” thotë pronari i dyqanit Vukoje Vukosaljviç. Ai shton se është po përpiqet të gjejë rrugë të tjera furnizimi, por nuk është e lehtë.

Kriza e fundit filloi pas dërgimit nga Prishtina të policisë speciale në pikat e kalimit kufitar, ku më parë personeli ishte serb, për të ndaluar importet nga Serbia. Më pas NATO-ja dërgoi paqeruajtësit për t’i dhënë fund dhunës, gjatë së cilës një polic shqiptar u vra dhe nacionalistët serbë i vunë zjarrin njërit prej vendkalimeve kufitare.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është zotuar se nuk do të lejojë atë që ai tha se ishte një përpjekje e Beogradit për ndarjen e veriut. Ai tha se qeveria e tij ishte e gatshme për të ndihmuar serbët në veri të Kosovës në rast të mungesave të ushqimit. Por serbët e Mitrovicës janë skeptikë rreth synimeve të Prishtinës.

"Kjo nuk është gjë e mirë, prandaj edhe të gjithë serbët shkojnë në barrikada," thotë një banor i veriut të Mitrovicës.

Një tjetër serb i Mitrovicës thotë se disa mallra janë ende duke u shpërndarë me rrugë të tjera, por këto janë vetëm ushqime bazë.

"Varet se si i kërkon këto mallra, disa merren me mënyra të tjera, por vetëm buka dhe qumështi."

Tani që rrugët kryesore për në postet kufitare janë të bllokuara, Bashkimi Europian është angazhuar në maksimum për të zbutur tensionet. Por serbët e Mitrovicës nuk kanë besim te BE-ja dhe fajësojnë atë për krizën.

"Turp për Evropën, para së gjithash për Evropë që ka lejuar kaosin këtu, kjo është një katastrofë," tha një grua serbe në qendër të Mitrovicës.

NATO-ja në Kosovë aktualisht ka rreth 6.000 trupa. Diplomatët thanë se një batalion rezervë që mbahet në gatishmëri në Gjermani ka 600 trupa gjermane dhe 100 austriake.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG