Lidhje

Shkencëtarët lidhin thatësirën aktuale me ngrohjen globale


Një thatësirë e rëndë ka mbërthyer zona të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Pjesa jugore e vendit është goditur më rëndë. Shkencëtarët thonë se kanë prova se thatësira e sivjetshme dhe fenomene ekstreme moti të kohëve të fundit janë të lidhura me ndryshimet klimatike që po pëson planeti ynë. Korrespondentja Rosanne Skirble sjell hollësi:

Në Teksas arat janë rreshkur. Lumejtë janë tharë dhe kullotat kanë marrë ngjyrë kafe nga bimët e thara. Kjo pamje mbizotëron që nga janari i vitit 2011. Ky shtet në jug-perëndim të Shteteve të Bashkuara është prodhuesi i katërt i orizit në vend. Specialisti i bujqësisë Peter McGuill thotë se thatësira e ka përgjysmuar prodhimin:

“Të ardhurat e përgjithshme nga prodhimi bujqësor në komunitetin tonë ishin rreth 290 milionë dollarë. Një pjesë e madhe e kësaj shume realizohet nga prodhimi i orizit. Në këto kushte, një përqindje e madhe e këtyre fondeve nuk do të qarkullohen në ekonomi”.

James Bradbury është shkencëtar klimatolog pranë Institutit të Burimeve Botërore, një grup kërkimor mbi mjedisin. Ai shpjegon se La Nina, një fenomen i rregullt klimatik që sjell freskimin e brigjeve të Oqeanit Paqësor, ishte pjesërisht shkaktare për thatësirën, pasi solli temperatura të larta dhe mot të thatë në pjesën jugore të vendit.

“Koha do ta tregojë sa kanë ndikuar për këtë thatësirë rritja e temperaturave dhe ndryshimet klimatike. Mendoj se këto temperatura të larta që kemi vërejtur janë rezultat i rritjes së temperaturës së globit, gjë që po thekson fenomene natyrore si thatësira aktuale”.

Peter Stott pohon se fenomeni klimatik La Nina është vetëm një aspekt i ndryshimeve klimatike. Ai drejton një ekip për studimin e ndryshimeve klimatike në Britani. Ai është gjithashtu bashkautor i një studimi të ri të Shoqatës Amerikane Meteorologjike që lidh ndryshimet klimatike me thatësirën në Teksas dhe fenomene të tjera të motit ekstrem:

“Kemi zbuluar prova të qarta të ndikimit të aktivitetit të njeriut tek vala e të nxehtit që ka përfshirë Teksasin, si dhe tek temperaturat tepër të larta që përjetoi Britania në vitin 2011”.

Studimi arrin në përfundimin se thatësira në Teksas kishte 60 herë më shumë gjasa të bëhej realitet, se sa në vitet 1960, si rezultat i çlirimit të gazeve në atmosferë. Vala e të nxehtit që përfshiu Anglinë në nëntor të vitit të kaluar ishte 62 herë më e mundshme se sa 50 vjet më parë, sipas raportit.

Zoti Stott thotë, se megjithëse jo të gjitha fenomenet klimatike lidhen me ndryshimet e klimës, ai dhe kolegët e tij zbuluan prova se probabiliteti që këto fenomene të ndodhin realisht është më i lartë kur rriten temperaturat e globit.

“Duhet të mos harrojmë se kemi ndërthurjen me ndryshimet e natyrshme të klimës. Këtë e vërejtëm gjatë La Nina-s në Teksas, por përveç ndryshimeve të motit që shkakton ky fenomen natyror, është edhe efekti shtesë klimatik që ka çuar në këtë shfaqje të fenomeneve ekstreme të motit”.

Thatësira është shtrirë tashmë në zona të tjera të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar zjarre e dëme në prodhimin bujqësor. Shkencëtarët amerikanë parashikojnë se këto kushte mund të keqësohen gjatë muajve të ardhshëm. Fermeri nga Ajova, Tom Zaputil është i shqetësuar për arat me misër, pasi nuk ka pasur rreshje që në muain qershor.

“Thatësira shihet qartë. Këto bimë misri do të shkatërrohen, do të thithin lagështirë nga kërcelli për të ushqyer kallirin, gjë që e bën kërcellin shumë të dobët dhe në rrezik nga era që fillon në fund të sezonit”.

Shkencëtari Peter Stott thotë se rezultatet e studimeve janë një sirenë alarmi për ndikimin negativ të ndryshimeve klimatike. Këto ndikime mund të vihen nën kontroll, nëse ulet niveli i dioksidit të karbonit i çliruar nga makinat, fabrikat dhe ndërtesat.

“Shpresojmë që njerëzit do të kuptojnë efektin që kanë ndryshimet klimatike dhe ta trajtojnë si faktor në këtë gjendje që shohim aktualisht”.

Zoti Stott thotë se shpreson që ky studim të shndërrohet në një raport të përvitshëm që studjon lidhjen mes ngrohjes globale dhe kushteve të motit ekstrem.
XS
SM
MD
LG