Lidhje

Mjekët grekë paralajmërojnë për një katastrofë shëndetësore


Mjekët grekë paralajmërojnë për një katastrofë shëndetësore
Mjekët grekë paralajmërojnë për një katastrofë shëndetësore

Mjekët në Greqi po paralajmërojnë për një katastrofë shëndetësore kërcënuese të shkaktuar nga kriza financiare. Ata thonë se shkurtimet qeveritare do të bëjnë që pacientët të mos përballojnë dot financiarisht trajtimet mjekësore, ndërkohë që spitalet po përballen me shkurtime të personelit dhe buxhet të reduktuar për ilaçe. Një studim në revistën mjekësore Lancet i bënë jehonë këtij paralajmërimi dhe thotë se ka shenja për një rritje të shpejtë të problemeve mendore dhe vetvrasjeve.

Reparti i emergjencës në spitalin Evangelismos në Athinë është më i madhi në Greqi dhe numri i pacientëve është i lartë.

Mjekët thonë se shkurtimet e shpenzimeve qeveritare dhe shtimi i papunësisë po ndikojnë negativisht në shërbimet që ofron spitali.

Ilias Sioras është kreu i shoqatës së mjekëve të spitalit.

“Njerëzit nuk përballojnë dot mjekun privat kështu që numri i pacientëve në spitale është shtuar me gati 25 deri në 30 përqind, thotë ai. Kjo është vërtetuar nga Ministria e Shëndetësisë. Të varfërit nuk kanë para për të paguar për shëndetin e tyre dhe rrjedhimisht vijnë këtu dhe volumi i punës është shtuar në çdo nivel. Së dyti, në spitalin Evangelismos ka mungesë të personelit të infermjerëve.”

Dhjetra mijëra grekë po humbasin punën dhe siguracionin shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë ka filluar të kërkojë që pacientët të paguajnë më shumë për ilaçet – dhe shumë pacientë nuk mundet as të përballojnë pagesën prej 7 dollarësh kur shkojnë në klinikë.

Jashtë spitalit, ka shqetësim mes pacientëve mbi shkurtimet e kujdesit shëndetësor.

Ky pacient thotë se nuk është i kënaqur, se gjërat nuk po shkojnë mirë, se spitalet nuk janë të mira. Në Greqi në se nuk ke para, thotë ai, vdes.

“Me krizën ekonomike, për shkak të shkrutimit të kostove disa gjëra janë shkurtuar shumë,” thotë një tjetër, duke shtuar se “problemi më i madh është se ende ka 2 milionë emigrantë të paligjshëm që marrin shërbim shëndetësor falas.”

Punonjësit në spitalin Evangelismos thonë se ka patur një shtim të rasteve me virusin HIV përmes përdoruesve të drogave intrevenoze. Ata fajësojë shkurtimet e nismave qeveritare, si programin e shkëmbimit të shiringave.

Një raport në revistën mjekësore Lancet paralajmëron rritjen e rasteve të vetvrasjes. Alexander Kentikelenis në universitetin Cambridge në Britani është njëri nga autorët.

"Kemi zbuluar raste nga ministria e shëndetësisë dhe zyrtarë të tjerë të citojnë një shtim prej 25 përqind të rasteve të vetvrasjeve në 2010-ën dhe 40 përqind rritje të vetvrasjeve në 2011."

Qeveria mohon të ketë një krizë shëndetësore. Drejtori i spitalit Evangelismos i tha Zërit të Amerikës se ndryshimet do të sjellin
përfitime për sistemin duke e quajtur këtë ristrukturim.

Dhe disa pacientë janë ende të kënaqur me trajtimin e tyre.

“Jam me kancer”, thotë ai. Nuk kam problem financiar pasi në rastin tim është falas, spitali dhe mjekimi. Jam i kënaqur me shërbimin.”

Por shumë mjekë janë të shqetësuar se niveli i kujdesit po bie.

“Kjo është arsyeja që themi se situate në spitale do të bëhet tragjike” thotë ai, “dhe në se nuk marrim masa kundër kësaj dhe nuk kemi solidaritet për punën, do të vajtojmë viktimat çdo ditë.”

Mjekët si Sioras thonë se çdo ditë në repartin e emergjencës, ata janë dëshmitarë të tragjedive njerëzore të shkaktuara nga rënia ekonomike e Greqisë.

XS
SM
MD
LG