Lidhje

Mjekët shqiptarë shpëtojnë mbi 200 pacientë nga dëbora


Mjekët shqiptarë shpëtojnë mbi 200 pacientë nga dëbora
Mjekët shqiptarë shpëtojnë mbi 200 pacientë nga dëbora

Mjekët shqiptarë u kanë shpëtuar jetën të 205 pacientëve që u shoqëruan nëpër spitale me mjete nga ajri dhe nga toka, duke i nxjerrë nga zonat e izoluara gjatë rreshjeve të mëdha të dëborës. Ministria e shëndetësisë bëri të ditur se 97 persona u shpëtuan me helikopterë nga ajri dhe 108 pacientë me autoambulanca nëpër spitalet e 8 tetë qyteteve që nga Kukësi, Tropoja, Peshkopia, Hasi e Shkodra dhe deri në Korçë e Tiranë.

Përfaqësuesi i ministrisë së shëndetësisë, Pëllumb Pipero tha se “një numër i madh mjekësh, helikopterësh dhe paketash farmaceutike ishin dhe janë në gadishmëri për të ndihmuar banorët e zonave në vështirësi nga bora”. Helikopterët kryen 85 misione fluturimi në kushte të vështira të motit dhe madje disa herë edhe për të njëjtin pacient. Ndërsa autoambulancat kryen mbi 100 transporte pacientësh në spitale, megjithë rrugët e bllokuara nga bora. Ilaçe shtesë u dërguan në 96 komuna të gjithë Shqipërisë lindore. Pjesa dërrmuese në ngarkesat me ilaçe shtesë janë dhuruar nga kompanitë farmaceutike për të ndihmuar popullatën në nevojë, krahas furnizimit të zakonshëm shtetëror.

Shqipëria veriore dhe verilindore u godit nga reshje të shumta dëbore dhe temperatura të ulta, që bllokuan një numër të konsiderueshëm qendrash të banuara gjatë këtij muaji. Autoritetet ushtarake dhe mjekësore u përpoqën të hapnin rrugët, për të furnizuar banorët e izoluar, duke shpëtuar edhe shumë nëna të reja në prag të lindjes. Opozita tha megjithatë se ndihmat ishin të pamjaftueshme, reagimi ishte i vonuar dhe se rreziku nuk ka kaluar.

XS
SM
MD
LG