Lidhje

SHBA, Përplasjet për financimin e murit në kufi


Presidenti Trump dhe udhëheqësit demokratë shkëmbyen fjalë të ashpra lidhur me fondet për ndërtimin e murit në kufirin SHBA-Meksikë, në kuadër të buxhetit federal që duhet miratuar deri më 21 dhjetor. Nëse miratohet projekt-buxheti nga Kongresi aktual që ende kontrollohet në të dyja dhomat nga republikanët, do të shmangej mbyllja e qeverisë federale në këtë sezon festash.

Presidenti me një deklaratë të pazakontë nga Zyra Ovale:

“E mbyll me krenari qeverinë në interes të sigurisë kufitare”.

Presidenti tha se siguria arrihet me sukses nëse ndërtohet një mur në kufirin ShBA-Meksikë, për të penguar dyndjet e imigrantëve që vijnë nga Amerika Qendrore. Ai e ka cilësuar situatën në kufi një gjendje emergjente, por demokratët përgjigjen se muri është një masë joefiçente dhe me kosto të lartë:

“Duhet të zhvillojmë një debat që bazohet te faktet lidhur me masat më funksionale, mbi fondet që janë shpenzuar dhe ndikimin që kanë pasur. Bëhet fjalë për sigurinë e vendit,” tha Nancy Pelosi, udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ky debat publik mes dy partive nuk duket se po avancon drejt kompromisit, megjithëse mbeten vetëm nëntë ditë për të miratuar buxhetin.

“I dhamë presidentit dy mënyra, secila do të siguronte shumicën e votave në Dhomën e Përfaqësve dhe Senat për të shmangur mbylljen e qeverisë. Shpresojmë ta pranojë pasi mbyllja e qeverisë dëmton shumë njerëz të pafajshëm,” tha Senatori demokrat, Chuck Schumer.

Demokratët i kanë ofruar presidentit 1.3 miliardë dollarë për sigurinë kufitare. Republikanët thonë se kjo shumë është e pamjaftueshme. Presidenti ka kërkuar 5 miliardë dollarë që do të mbulonin edhe ndërtimin e murit.

“Ideja që pakica demokrate, e cila do të jetë shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve në janar, del kundër sigurisë kufitare është absurde. Duam të garantojmë sigurinë në kufi, por siç e dini këto propozime kërkojnë 60 vota në Senat për t’u miratuar,” tha Paul Ryan, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Pra megjithëse republikanët kontrollojnë Senatin, ata kanë nevojë për vota të demokratëve për të miratuar projekt-buxhetin.

Ligjvënësit në këtë periudhë përgatiten të largohen për të kaluar pushimet në shtetet e tyre, por në këtë situatë po përgatiten për një betejë politike.

“Asnjë president nuk duhet të shprehet krenar që arrin të mbyllë qeverinë federale,” tha zoti Schumer.

“Nuk ka rëndësi se kush e shkakton mbylljen; është diçka e papëlqyeshme për popullin,” thotë Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës republikane në Senat.

Nëse realizohet një mbyllje e pjesshme e qeverisë federale, me pezullimin e shërbimeve që prekin miliona vetë në të gjithë vendin, kjo do të shënonte të tretën herë që qeveria amerikane është mbyllur në 2018.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG