Lidhje

Qyteti në Re, ekspozitë në Muzeun Metropolitan të Artit


Ekspozita e autorit Tomas Saraceno, bazohet në idenë e perceptimit të hapësirës dhe raporteve

Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork ka në koleksionin e tij rreth 2 milion artifakte të rëndësishme nga Egjipti i lashtë e deri tek vepra të krijimtarisë moderne amerikane. Por çdo verë, ekspozita më me interes për vizitorët është ajo që paraqitet në tarracën e muzeut. Këtë vit Muzeu Metropolitan ka prezantuar ekspozitën Cloud City – Qyteti në Re të autorit Tomas Saraceno. Disa kritikë thonë se ekspozita nuk përbën art në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por megjithatë duket se vizitorët kanë mbetur të magjepsur:

Qyteti në Re është krijuar nga 16 modula të realizuara me akrilik dhe pasqyra, të cilat janë të lidhura me çelik inoks. Megjithatë, struktura ngjan mjaft e lehtë, aq sa vështirë ta besosh se peshon 20 tonë.

Artisti me origjinë argjentinase Tomas Saraceno e gjeti frymëzimin në qiell, ku imagjinoi flluska sapuni duke pluskuar në ajër. Ai thotë se punimi i tij bazohet në idenë e popullimit të një mjedisi dhe nuk mund të quhet i plotë pa praninë e njerëzve:

“Kur e vendosëm për herë të parë punimin, isha shumë kurioz të shihja si do të reagonin njerëzit. Kur u futa brenda për herë të parë, m’u ngjall pak frikë, pasi dyshemeja zhvendoset pak dhe kur hedh hapat lëshon edhe zhurmë”.

Sipërfaqet reflektuese janë çorientuese. Nganjëherë shikon qiellin ose një pjesë të Parkut Qendror, apo sfondin e Manhatanit. Kuratorja Anne Strauss:

“Ky artist e gjen frymëzimin tek atmosfera dhe jo në tokë. Ky objekt ofron mundësi për të përjetuar një proces të tillë”.

Që kur u hap mjedisi në tarracë 15 vjet më parë ka pasur sukses të madh. Qyteti në Re ka tërhequr 100 mijë vizitorë në tarracë. Dhjetëra mijëra vizitorë janë futur brenda perimetrit të ekspozitës. Krijimi stimulon shqisat në mënyra nga më të ndryshmet dhe çdo vizitor ka një reagim unik:

“Të dukej sikur ishe futur në labirint”, thotë një vizitor.

“Sikur më ngatërroi ndjenjën e balancës. U çorientova disi,” shprehet një vizitore.

Por shumica e njerëzve pohojnë se ishte një eksperiencë e veçantë.

Struktura është instaluar pjesë-pjesë, shkallë-shkallë në tarracë, nga një vinç gjigand. Pjesët u lidhën së bashku në një mënyrë që t’u rezistojë erërave të forta.

Artisti e ka imagjinuar veprën e tij si një prototip për një jetë të re endacake – ku njerëzit jetojnë në struktura fluturuese, që lidhen me njëra tjetrën për të formuar kontinente në hapësirë.

“Ky skenar mund të jetë i vështirë të realizohet jo vetëm teknikisht, por nga ana sociale dhe politike, pasi duhen përcaktuar kufijtë gjeografikë dhe politikë”.

Ky vizion që sfidon kufijtë mund të jetë burimi i suksesit të autorit:

“Ky vizion është një instrument që i ofron vizitorit mundësinë të shohë pamje madhështore të qiellit, të qytetit, si dhe të reagojë me një vizitor tjetër në një rrjet fantastik përvojash dhe perceptimesh”.

Pavarësisht si e përjeton secili prej nesh, ekspozita Qyteti në Re është një vizitë sensacionale mes tokës e qiellit.
XS
SM
MD
LG