Lidhje

Myanmar, policia shtyp protestat me dhunë


Protestuesit të shtrirë në tokë pasi policia hap zjarr me armë
Protestuesit të shtrirë në tokë pasi policia hap zjarr me armë

Policia shtypi demonstratat me gaz lotësjellës dhe të shtëna armësh në disa qytete në mbarë Mianmarin të enjten, ndërsa protestuesit u rikthyen në rrugë në ditën më të përgjakshme deri më tani të goditjes ndaj kundërshtarëve të grushtit të shtetit ushtarak të muajit të kaluar.

Kombet e Bashkuara thanë se 38 njerëz ishin vrarë gjatë demonstratave të së mërkurës, shumë më tepër në një ditë të vetme sesa totali prej 23 personash që besohej të jenë vrarë deri më 1 mars.

Ushtria mori pushtetin në 1 shkurt, duke pretenduar manipulim në zgjedhjet e fituara nga partia e Aung San Suu Kyi nëntorin e kaluar. Ushtria ka mbrojtur masat për të shuar protestat dhe tha se nuk do të lejojë të kërcënohet stabiliteti i Mianmarit.

Aktivistët thanë se ata nuk e pranojnë regjimin ushtarak dhe zgjedhjet e reja të premtuara nga junta, duke shprehur vendosmëri për të bërë presion për lirimin e zonjës së arrestuar Suu Kyi, 75 vjeçare, dhe njohjen e fitores së saj në zgjedhje.

"Ne e dimë që gjithmonë mund të pushkatohemi dhe të vritemi me plumba, por nuk ka kuptim të qëndrojmë gjallë nën juntë", i tha agjensisë së lajmeve Reuters aktivisti Maung Saungkha.

Policia hapi zjarr dhe përdori gaz lotsjellës për të prishur protestat në Yangon dhe qytetin qendror Monywa, thanë dëshmitarët. Policia hapi zjarr gjithashtu në qytetin Pathein, në perëndim të Yangonit dhe përdori gaz lotsjellës në Taunggyi në lindje, raportuan mediat.

Turma të mëdha u mblodhën paqësisht për tubime në qytete të tjera, qytetin e dytë më të madh Mandalay dhe në tempullin historik të qytetit Bagan, ku qindra njerëz marshuan duke mbajtur fotografi të zonjës Suu Kyi dhe një banderolë që thoshte: "Lironi udhëheqësen tonë", thanë dëshmitarët.

Një zëdhënës i këshillit ushtarak në pushtet nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike për koment.

Shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, u bëri thirrje forcave të sigurisë të ndalojnë atë që ajo e quajti "shtypjen e egër të protestuesve paqësorë".

Ajo tha se më shumë se 1'700 njerëz ishin arrestuar, përfshirë 29 gazetarë.

"Ushtria e Mianmarit duhet të ndalë vrasjen dhe burgosjen e protestuesve", tha zonja Bachelet në një deklaratë.

Hetuesi i OKB-së Thomas Andrews i kërkoi Këshillit të Sigurimit - i cili mblidhet për Mianmarin të premten - të vendosë një embargo globale të armëve dhe sanksione ekonomike, si dhe të referojë krimet e pretenduara në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ndjekje penale.

Shtetet duhet të vendosin sanksione mbi Ndërmarrjen e Naftës dhe Gazit të Mianmarit, tashmë e kontrolluar nga ushtria dhe që shërben si burimi i saj më i madh i të ardhurave, tha ai në një raport për Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.

Mbahet zi për protestuesen që kishte veshur një bluzë me mbishkrimin "Gjithçka do të jetë në rregull"

Qindra njerëz morën pjesë në varrimin e një vajze 19-vjeçare të vrarë në Mandalay të mërkurën, e cila u fotografua e veshur me një bluzë ku shkruhej "Gjithçka do të jetë në rregull". Pas vdekjes së saj, parulla u shndërrua në simbol të mosbindjes.

Të mërkurën, policia dhe ushtarët hapën zjarr të drepërdrejtë me fare pak paralajmërim në disa qytete dhe komuna, thanë dëshmitarët.

"Forcat e sigurisë së Mianmarit tani duket se synojnë të thyejnë shtyllën kurrizore të lëvizjes kundër grushtit të shtetit, përmes dhunës së egër dhe brutalitetit të hapur", tha Richard Weir, studiues në organizatën Human Rights Watch.

Partia Lidhja Kombëtare për Demokracinë e zonjës Suu Kyi tha në një deklaratë se flamujt do të valëviten në gjysëm shtizë në zyrat e tyre për të përkujtuar të vdekurit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë situatën të premten në një takim të mbyllur, thanë diplomatët.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni ishte "i tronditur" nga dhuna dhe po vlerësonte se si do të përgjigjet. Kryeministri britanik Boris Johnson tha të enjten se ishte i tmerruar nga përshkallëzimi i dhunës dhe vrasja e protestuesve.

Bashkimi Evropian pezulloi mbështetjen për projektet e zhvillimit për të shmangur sigurimin e ndihmës financiare për ushtrinë, thanë zyrtarët të enjten. Mbështetja në vitet e kaluara ka përfshirë më shumë se 200 milionë euro në programe të veçanta që shpesh zgjasin katër vjet.

Gjeneralët e Mianmarit kanë refuzuar prej një kohe të gjatë presionin e jashtëm.

E dërguara e posaçme e OKB-së për Myanmarin, Christine Schraner Burgener, tha të mërkurën se ajo kishte paralajmëruar zëvendës shefin e ushtrisë Soe Win se ushtria kishte të ngjarë të përballej me masa të forta nga disa vende për shkak të grushtit të shtetit.

"Përgjigjja ishte: 'Ne jemi mësuar me sanksione dhe kemi mbijetuar'," u tha ajo gazetarëve në New York. "Kur gjithashtu paralajmërova se ata do të shkojnë (në) izolim, përgjigjja ishte: "Ne duhet të mësojmë të ecim vetëm me disa miq".

Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Kinës, e cila ka refuzuar të dënojë grushtin e shtetit, se presin që ajo të luajë një rol konstruktiv. Kina ka thënë se stabiliteti është një përparësi kryesore në fqinjin e saj strategjik.

Të paktën 19 oficerë të policisë së Mianmarit kanë kaluar në Indi, nga frika e persekutimit për mosbindje ndaj urdhrave, i tha agjensisë Reuters një zyrtar i lartë i policisë indiane.

Një përplasje mbi atë se kush përfaqëson Myanmarin në Kombet e Bashkuara në Nju Jork u shmang - tani për tani - pasi zëvendësuesi i juntës u largua dhe misioni i Myanmarit në OKB konfirmoi se Ambasadori Kyaw Moe Tun vazhdon të jetë në punë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG