Zyrtarët amerikanë nuk kanë pranuar ta quajnë pastrim etnik dhunën kundër popullsisë myslimane Rohinga në Mianmar deri në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje.
Megjithëse disa senatorë e kanë etiketuar dhunën si spastrim etnik gjatë një seance dëgjimore për konfliktin në Mianmar, përfaqësues nga Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, kanë thënë se agjencitë nuk mund të deklarohen ende. Qendrimet nga ligjvënës si senatori Ben Cardin kanë qënë të ashpra.
“Duhet të zemërohemi me ato që po ndodhin. Komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet dhe të mos e lërë që kjo të vazhdojë dhe të mbajmë përgjegjës autorët. Që ne të japim menjëherë ndihmën e nevojshme humanitare. Që ne do të ndalojmë këtë lloj sjelljeje në një shoqëri të civilizuar. Kjo nuk mund të ndodhë. Po, mendoj se është gjenocid.”
Zoti Cardin e pranoi se administrata amerikane aktualisht po vlerëson nëse Uashingtoni do ta quajë zyrtarisht spastrim etnik dhunën në Mianmar.
Sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press” vendimi mund të merret këtë javë. Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë Bob Corker kritikoi ashpër udhëheqësen de fakto të Mianmarit, Aung San Suu Kyi dhe trajtimin e popullsisë Rohinga nga qeveria e saj.
“Dështimi i saj për të pranuar fushatën në dukje sistematike të brutalitetit nga ushtria birmaneze vazhdon të minojë qeverinë civile dhe tranzicionin demokratik të Birmanisë në tërësi. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të heqin dorë nga Birmania. Megjithatë, mund të jetë koha për një ndryshim të politikës.”
Departamenti i Shtetit i ka bërë thirrje qeverisë në Mainmar që ta zgjidhë këtë çështje, ndërkohë që ka premtuar mbështetjen e Uashingtonit për tranzicionin e vendit drejt demokracisë.
Kombet e Bashkuara thanë javën e kaluar se 589 mijë refugjatë Rohinga janë larguar nga Mianmari për në Bangladesh që nga 25 gushti. Ata janë larguar nga dhuna mes njoftimeve për djegien e fshatrave të tëra. Qasja në zonën e trazuar Rakhine ka qënë tejet e kufizuar si për agjencitë e ndihmave ashtu edhe për gazetarët.
Facebook Forum