Lidhje

Çmimi i naftës dhe prodhuesit afrikanë


Çmimi i një fuçie nafte është ngritur në mbi 100 dollarë për fuçi, mes shqetësimeve për pasiguri në Libi dhe në Sudanin Jugor, plus një rritjeje të madhe të kërkesës për karburant në Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe De Capua i Zërit njofton.

Luftimet në Sudanin Jugor dhe prodhimi i çregullt i naftës në Libi janë duke patur një ndikim të ndjeshëm tek tregu botëror i naftës. John Kingston është drejtor i lajmeve në "Platts", një firmë e rëndësishme për informacione mbi energjinë.

"Në përgjithësi, duket se ka më tepër naftë nga sa është e nevojshme në tregun botëror. Por vazhdon të ketë disa pika të nxehta të globit, që janë duke e mbajtur tregun të shtrënguar dhe të trazuar. Prodhimi i naftës nga Libia ka qenë i luhatur. Nganjëherë atje prodhohet 500 mijë fuçi nafte në ditë, por nganjëherë prodhohet rreth 100 mijë fuçi në ditë. Por Libia është një vend me kapacitetin për t'u prodhuar 1,5 deri në 1,6 milionë fuçi nafte në ditë. Pastaj vjen Sudani i Jugut, që është një prodhues reativisht i vogël, por që përsëri mund ndikojë tek një treg me shqetësime gjeopolitike."

Një pjesë e luftimeve në Sudanin e Jugut zhvillohen në një zonë ku prodhohet rreth 45,000 deri në 50,000 fuçi nafte në ditë. I gjithë Sudani u Jugut prodhon 250 mijë fuçi nafte në ditë. Zoti Kingston thotë se kjo është një shifër relativisht e vogël, krahasuar me vende të tjera që prodhojnë naftë. Megjithatë, ai thotë se një kombinim i problemeve në të dy vendet afrikane ka patur ndikim tek tregu i naftës në botë.

"Ka edhe faktorë të tjerë, si rritja e interesave bankare, që duket se nxit prodhimin e mallrave. Kërkesa për naftë në Shtetet e Bashkuara po fillon të tregojë shenja të vërteta fuqizimi. Është deri në rreth një milionë fuçi nafte në ditë nga viti në vit dhe sipas vlerësimeve, tremujori i katërt i vitit mund të shënojë një rritje prej 3-4 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto, një rritje kjo mjaft e fuqishme. Pra të gjithë këta faktorë së bashku nuk po e lenë të bjerë tregun e naftës, gjë për të cilën ishte folur më parë."

Zoti Kingston thotë se tregu i naftës nuk është si tregu i aksioneve, që mund të ndryshojë së tepërmi dhe që është shumë i ndjeshëm qoftë edhe ndaj deklaratave të zyrtarëve.

"Në çdo lloj tregu mallrash, në fund të ditës, fitimi neto është zero. Për çdo dollar të fituar ka edhe një dollar të humbur. Por nuk ndodh kështu në Wall Street. Pra nuk mund të bëjmë një analogji mes tregut të naftës dhe atij të aksioneve."

Kingston thotë se kompania Platts e informacioneve mbi energjinë nuk do të parashikojë se për sa kohë çmimi i naftës mund të qëndrojë tek niveli i rreth 100 dollarëve për fuçi.
XS
SM
MD
LG