Lidhje

Vazhdojnë negociatat e vështira për marrëveshjen e NAFTA-s


Negociatorët nga Kanadaja dhe Meksika u përballën dje me kërkesat e Shteteve të Bashkuara për ndryshime drastike të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA). Bisedimet po vazhdojnë për të katërtën ditë për rinovimin e marrëveshjes së denoncuar nga Presidenti Donald Trump.

Disa nga pjesëmarrësit thanë se një pjesë e kërkesave të paraqitura këtë javë, bazuar në axhendën e Presidentit Trump “Amerika e Para”, i kanë shtuar gjasat e dështimit të NAFTA-s, duke e vështirësuar arritjen e një marrëveshjeje përpara afatit të fundvitit.

Drejtorja e FMN-së, Christine Lagarde, dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Meksikës, Agustin Carstens, shfaqën optimizëm gjatë një konference për shtyp në kuadrin e takimeve vjetore të Bankës Botërore dhe FMN-së në Uashington.

“Tregtia është realisht një motor i fuqishëm për rritjen, novacionin, konkurencën dhe prodhimtarinë... Por, nëse realizohet mirë, mund të sjellë përfitime për të gjitha vendet. Kështu do të vazhdojë të shërbejë si motori i rritjes ekonomike”, tha zonja Lagarde.

Zoti Carstens u shpreh gjithashtu optimist.

“Meksika po negocion me besimin e mirë për të arritur një marrëveshje. Marrëveshja NAFTA ka qenë tepër e rëndësishme për ekonominë meksikane dhe ekziston hapësira për ta modernizuar NAFTA-n, për ta bërë më të drejtë dhe më produktive për të treja vendet. Kështu që ne shpresojmë se do të kemi një situatë me përfitime për të gjithë”, tha zoti Carstens.

Presidenti Trump fajësoi NAFTA-n për largimin e vendeve amerikane të punës drejt Meksikës, si dhe ka bërë thirrje vazhdimisht për t’u tërhequr nga marrëveshja, në rast se ajo nuk rinegociohet me kushte më të favorshme.

Megjithatë, administrata Trump ka bërë thirrje gjithashtu edhe për një klauzolë të re në këtë marrëveshje, që do të mundësonte rinegocimin e saj çdo pesë vjet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG