Babai i tre vajzave që ishin abuzuar nga Larry Nassar u përpoq të sulmojë mjekun e diskredituar të ekipit Kombëtar Amerikan të Gjimnastikës, pasi i kërkon gjykatëses ta lejonte të qëndronte në një dhomë vetëm “për pesë minuta me djallin”. Deri më tani, më shumë se 30 viktima kanë dhënë deklarata gjatë kësaj seance për abuzime nga mjeku i ekipit olimpik të gjimnastikës. Gjatë një seance të ngjashme që përfundoi javën e kaluar, më shumë se 150 vajza dhe gra dhanë dëshmi.
Randall Margraves sulmoi Larry Nassar-in pasi një gjykatëse refuzoi kërkesën e tij për t’u përballur me mjekun në një dhomë të mbyllur.
Por Margraves u ndalua nga zëvendës sherifët dhe u nxorr nga gjykata menjëherë.
Gjykatësja Janice Cunningham tha se “në asnjë mënyrë” nuk do ta ndëshkonte për veprimet e tij, duke patur parasysh rrethanat e rastit.
“Sa për shpërfilljen e drejtpërdrejtë të gjykatës, kjo gjykatë nuk do të lëshojë ndonjë lloj ndëshkimi, duke patur parasysh rrethanat e këtij rasti. Dhe ndjej keqardhje për ju dhe familjen tuaj, për shkak të asaj që keni kaluar” tha ajo.
Megjithatë, Cunningham tha se “nuk është e pranueshme t’i përgjigjemi sulmeve me sulme”.
Margraves kërkoi falje për sjelljen e tij, duke thënë se ai “humbi kontrollin” dhe ishte “i turpëruar nga sjellja e tij”.
“Kjo është e saktë e nderuara gjykatëse. E vlerësoj mirëkuptimin tuaj. Dhe dëshiroj të kërkoj falje për ju dhe procedurat e gjykatës. Kam respektin më të lartë për sistemin tonë gjyqësor dhe dëshiroj t’i kërkoj falje të gjithëve në sallën e gjyqit, të gjithë oficerëve. Erdha këtu në mbështetje të vajzave të mia. E dija se ato do të lexonin një deklaratë, nuk e dija se çfarë ishte në të. Ato nuk më lejuan ta lexoja para gjyqit. Kohët e fundit jam marrë në mënyrë delikate me vajzat, por po e kuptoj se ato ka mundësi se nuk do t’i besojnë një mashkulli më ndonjëherë. Pastaj m’u desh të dëgjoja deklaratën, dhe pashë Nassar-in duke tundur kokën “jo” sikur nuk ka ndodhur. Kush do ta përballonte këtë situatë nëse s’paska ndodhur? Humba kontrollin. Dhe kërkoj falje njëqind herë” tha babai i tre vajzave.
Seanca e së premtes ishte për dënimin e tretë dhe të fundit të Nassar-it, i cili ka pranuar se ka sulmuar seksualisht vajzat nën pretekstin se ishte trajtim mjekësor. Ai tashmë është dënuar deri në 175 vjet burg nga seancat e mëparshme.
Facebook Forum