Lidhje

Nato, thirrje aleatëve që të rrisin shpenzimet e mbrojtes


Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jens Stoltenberg u bëri sot thirrje aleatëve të rrisin shpenzimet e mbrojtjes. Thirrja vjen në prag të takimit të parë mes të Sekretarit të ri amerikan të Mbrojtjes Jim Mattis dhe 27 homologëve të tij të NATO-s në Bruksel. Presidenti Donald Trump kishte lënë të kuptohej gjatë fushatës se ai nuk mund të mbronte aleatët të cilët refuzojnë të japin kontributin që u takon për aleancën dhe kjo alarmoi vendet evropiane, sidomos ato pranë kufirit me Rusinë, si Polonia dhe shtetet baltike.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jen Stoltenberg tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë tërësisht të përkushtuara ndaj aleancës. Ai foli me gazetarët në Bruksel para takimit të ministrave të mbrojtjes që do të ketë si objektiv rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet anëtare. Zoti Stoltenberg tha se vendet anëtare shtuan shpenzimet e mbrojtjes me 10 miliardë dollarë vitin e kaluar, por se vetëm pesë nga 28 vendet anëtare po përmbushin objektivin e 2 përqindëshit të PBB për mbrojtjen.

Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi anëtarët e Natos gjatë fushatës së tij, duke thënë se nuk paguajnë detyrimin ndaj aleancës. Në një moment ai sugjeroi që vendet që nuk ndajnë pjesën e tyre të barrës nuk do të mbrohet në mënyrë automatike nga Shtetet e Bashkuara.

Që kur mori postin, presidenti Trump ka shprehur mbështetje për Naton, përfshi sipas zotit Stoltenberg, dy thirrje telefonike që ka zhvilluar me të.

“Presidenti Trump në të dy telefonatat ka nënvizuar rëndësinë e ndarjes së barabartë të barrës financiare dhe se ato vende që shpenzojnë më pak se 2 përqind duhet të arrijnë objektivin e caktuar. Dhe unë jam dakord me të”, tha zoti Stoltenberg.

Sekretari i ri amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis shkoi sot në Bruksel për të marrë pjesë në bisedimet e Natos.

Stoltenberg tha se aleanca pret të bisedojë dhe të diskutojë me zotin Mattis tema të ndryshme, përfshi ndarjen e barrës financiare por edhe rolin e Natos në luftën kundër terrorizmit.

Sekretari i Përgjithshëm i Natos tha gjithashtu se mezi pret të takohet me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në takimin e ardhshëm dhe se Nato-ja duhet të tregohet e rreptë në projektimin e një mbrojtjeje të besueshme dhe në të njëjtën kohë të mbajë të hapura linjat diplomatike.

"Mesazhi në telefonatat që kam patur me presidentin Trump, Sekretarin e Shtetit dhe Sekretarin e Mbrojtjes është mbështetja e plotë e qasjes mbrojtje dhe dialog. Jo ose mbrotje ose dialog. Përsa kohë që jemi të fortë dhe përsa kohë jemi të bashkuar, përsa kohë jemi të parashikueshëm atëherë ne mund të përfshihemi edhe në dialog politik me Rusinë kështu që e mirëpres një dialog mes Natos dhe Rusisë por sigurisht mes aleatëve të Natos, përfshi Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë”.

Shefi i Natos theksoi gjithashtu se ka disa vende anëtare që përballen me sfida ekonomike, por ai shtoi se synimi është të ndalet shkurtimi i shpenzimeve ushtarake dhe eventualisht përmbushja e detyrimeve të caktuara.

Krerët e Natos takohen më vonë këtë vit dhe zoti Stoltenberg tha se ata do të dalin me propozime për të ndihmuar rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.

XS
SM
MD
LG