Në periudha krizash shtohet përhapja e dizinformimit me qëllime specifike keqdashëse. Qendra e NATO-s për Komunikim Strategjik me seli në Riga të Letonisë organizoi dje një diskutim mbi “deepfakes” – një formë e dizinformimit dixhital që synon të ndikojë opinionin publik për synime të caktuara. Në përshtatje me kohët që po jetojmë, diskutimi u zhvillua përmes lidhjes dixhitale, prezantuesi nga Riga, dy pjesëmarrës, njëri nga Londa, tjetri nga Nju Jorku. Kolegia Ardita Dunellari përgatiti këtë material pasi ndoqi diskutimin përmes YouTube-it nga banesa e saj në periferi të Uashingtonit.
Një zyrtar i NATO-s të flet me zërin e tij, por duket sikur fjalët i thotë aktori Bruce Willis – ky është një demonstrim i “deepfakes” një formë e dizinformimit dixhital që ishte në qendër të diskutimit. Ky dizinformim mund të marrë trajtat e një personi që nuk ekziston në realitet, por vjen në jetë përmes një identiteti të sajuar në forume dixhitale. Por ka edhe forma të tjera:
“Me shpikjen e makinave që krijojnë tekste dixhitale, Rusia për shembull nuk ka më nevojë të paguajë njerëz të shkruajnë komente në internet, pasi këtë mund ta realizojë me sisteme të automatizuara,” thotë Keir Giles, drejtor i Qendrës Kërkimore mbi Konflitet.
Kjo është fjala e fundit e teknologjisë, thonë pjesëmarrësit në diskutim. Por këto operacione kanë ekzistuar prej kohësh: shtete, organizata e individë që përpiqen të ndikojnë tek publiku i painformuar përmes manipulimit të informacionit.
“Këto metoda përdoren edhe për të krijuar imazhin e një reagimi publik, që në fakt nuk ekziston në realitet. Kjo mund të përdoret për të diskredituar një figurë politike apo për të dëmtuar dhe konfuzuar bazën e tij politike,” thotë zoti Giles.
Potenciali i kësaj teknologjie për dizinformim ka shqetësuar edhe politik-bërësit. Mark Zuckerberg u vu në pozitë mbrojtëse për rolin që po luan platforma e medias sociale që ai kryeson, Facebook, në përhapjen e këtyre mesazheve apo videove të sajuara që mund të konfuzojnë publikun në kohë kritike si gjatë fushatave zgjedhore.
Facebook njoftoi më 6 janar të këtij viti se do të bllokojë postimin e videove “deepfake” me informim të sajuar ose manipuluar. Facebooku dhe kompani të tjera të fuqishme kanë potencialin financiar për të punësuar specialistë të “forensikës dixhitale” apo programe kompiuterike për të diktuar sajime të tilla, por nuk është e lehtë për të tjerët, thotë eksperti Tim Hwang:
“Gazetarët, aktivistët, personat që kontrollojnë faktet, organizatat joqeveritare nuk kanë detyrimisht kapacitetet teknologjike për të zhvilluar diagnostikim sistematik të këtij aktiviteti”.
Organizata të fuqishme mediatike, si për shembull agjencia e lajmeve Reuters zhvillojnë sesione për të informuar punonjësit e tyre për rrezikun e këtyre klipeve të sofistikuara me informacion të manipuluar.
"Imazhe të manipuluar të të gjitha formave janë shqetësim serioz. Po realizohet gjithë ky produkt vizual pra është rritur rreziku që ngjarjet të interpretohen jashtë kontekstit, ose të manipulohet realiteti, me qëllime keqdashëse apo thjesht nga padituria, por ndikimi mbetet real,” thotë Nich Cohen, i cili punon për agjencinë e lajmeve Reuters.
Specialistët e ftuar në diskutimin e NATO-s pohojnë se po rritet ndërgjegjësimi për video të manipuluara, prandaj u duhet kushtuar më shumë vëmendje mesazheve zanore të sajuara apo manipuluara, pasi pritet që fushata e ardhshme e dizinformimit të jetë me tekste apo audio-regjistrime që imitojnë zërin e një personi të njohur, apo të besuar për të konfuzuar dëgjuesin.
Si me çdo risi tjetër teknologjike, ekspertët thonë se brezi i ri është shumë më kritik ndaj materialeve në internet dhe i vetëdijshëm se shumë realizime online janë të manipuluara.
Ata shtojnë se dizinformimi dixhital është thjesht një manifestim i ri i një taktike të vjetër të tjetërsimit, apo shtrembërimit të informacionit për qëllime të caktuara. Si gjithmonë, një popullatë e mirë-informuar është arma më e suksesshme kundër këtij problemi.
Facebook Forum