Lidhje

Ndalimi i sëmundjes para se të fillojë, një libër i ri mjekësor


Ndalimi i sëmundjes para se të fillojë, një libër i ri mjekësor
Ndalimi i sëmundjes para se të fillojë, një libër i ri mjekësor

Ndalimi i sëmundjes para se të fillojë

Libri “The End of Illness”(Fundi i Sëmundjes) është pritur mirë. Disa e quajnë “kupa e shenjtë e mjekësisë”, sepse ofron fundin, jo thjesht trajtimin – por parandalimin e sëmundjes në radhë të parë. Eshtë një libër i ri nga më të kërkuarit, por i vlefshëm vetëm nëse njerëzit ndryshojnë rrënjësisht qëndrimin ndaj shëndetit. Kolegu Astrit Lulushi sjell hollësi.

Autori i librit është Dr. David B. Agus, i njohur si një nga onkologët më të mirë amerikanë. Ai është quajtur “Rock Star” i shkencës, që mbajti Steve Jobs-in gjallë kundër të gjitha shanseve e përtej çdo parashikimi. Eshtë doktori të cilin Lance Armstrong dhe Ted Kennedy thirrën për këshilla kur u diagnostikuan me kancer.

Në librin e tij të ri, Dr David Agus sugjeron se “Fundi i sëmundjes” nuk do të vijë nga zbulimi i ndonjë kure apo nga ndonjë mrekulli, por vetëm nga parandalimi i krejtësisht i sëmundjes duke përdorur shencën që kemi tani.

“Kryesorja është për të njohur parametrat e vetes”, thotë ai

Që në kohën e DaVinçit, mjekët e kishin kuptuar se shëndeti vjen nga një sistem në balancë. Dhe Dr. Agus thotë se trupi a organizimi, që është një sistem, vazhdimisht dërgon sinjale kur kjo balancë prishet. Këto shenja, thotë ai, janë tekstualisht në majën e gishtave; nëse gishti i unazës është më i madh sesa gishti tregues, personi, – nëse është grua – ka gati dy herë më shumë gjasa të preket nga osteo-arthritis, për shkak se gjatësia e gishtit lidhet me nivelin e testosteronit në uter. Nëse gishti i unazës është më i gjatë, ushtrime të tilla si yoga nevojiten për kujdesin e nyjeve.

Ndërsa për burrat, Dr. Agus thotë se duhet t’u hedhin një sy këmbëve; nëse krejt papritur nuk vënë re qime tek kyçi i këmbës, kjo mund të jetë shenjë e një problemi në qarkullimin e gjakut.

Dhe libri është i mbushur plot me urtësi për shëndetin; Sa të rehatëshme janë këpucët tuaja? Sepse nëse këmbët fillojnë të dhembin ato janë duke u përpjekur t’ju dërgojne një paralajmërim vdekjeprurës. Dhimbja e këmbëve do të thotë pezmatim dhe pezmatimi afatgjat është i keq sepse sjell sëmundje në zemër, kancer, dhe sëmundje nervore.

Dhe së fundi, ora e dorës mund të jetë pajisja më e mirë e kujdesit shëndetësor që njeri mban me vete, sepse ngrënia dhe fjetja në orar të caktuar çdo ditë, edhe gjatë fundjavës – ndihmon shmangien e sëmundjes; nëse sot dreka hahet në mesditë dhe nesër në orën 2 pasdite, për dy orë niveli i hormoneve të stresit ngrihet–prandaj sa më i rregullt të jetë orari, aq më mirë mendja dhe trupi do të funksionojnë gjatë ditës. Këto dhe të tjera përmban libri “The End of Illness” i Dr. David B. Agus.

Mbajtja e një lloj diete, faktor kyç për humbje të peshës trupore

Shumë njerëz marrin zotime, premtojnë, por shpesh lëkunden, heqin dorë, siç ndodh me dietën për të rënë nga pesha – ajo fillohet, ndërpritet, ndryshohet dhe përsëri…çdo gjë nga e para, pa efekt. Nëse programe të ndryshme diteash krijojnë mëdyshje, se cila prej tyre është më e mitë a duhet ndjekur, një studim i kohëve të fundit sugjeron se gjëja më e mirë është që dieta e filluar të ndiqet deri në fund, pa e ndërruar me dietë tjetër.

Në studim u përfshinë disa qindra persona mbipeshë të cilët u ndanë në 4 grupe me 4 dieta të ndryshme – proporcionalisht të përbëra me proteina, yndryna dhe karbohidrate – me synimin për të humbur 750 kalori në ditë.

Pas 6 muajsh pjesëmarrësit kishin humbur 5 kg dhjam dhe thuajse 3 kg masë indesh. Pas dy vitesh, ata ruajtën një humbje peshe prej 4 kg, përfshi humbjen e 2 kg dhjam më pak në pjesën e barkut.

Studimi nuk zbuloi ndonjë dallim në humbje peshe ose në pakësim dhjami mes 4 dietave. Kyçi i rënies nga pesha, thotë studimi, është respektimi i një lloj diete nga fillimi deri në fund. Me fjalë të tjera, nuk ka rëndësi se si fitohen kaloritë – nga yndyrnat, karbohidratet ose proteinat – por si pakësohen ato. Rezultatet e studimit u botuan në “American Journal of Clinical Nutrition”.

XS
SM
MD
LG