Lidhje

Thellohen ndarjet partiake për kandidatin e Gjykatës së Lartë


Pas katër ditë seancash të gjata dëgjimore, një panel i udhëhequr nga republikanët në Senat pritet të hedhë për votim përfundimtar të emëruarin e Presidentit Trump për anëtar të Gjykatës së Lartë, Neil Gorsuch. Siç njofton korrepondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, Gorsuch nuk ka zbutur shqetësimet e demokratëve në lidhje me filozofinë e tij konservatore ose pavarësinë e tij gjyqësore nga presidenti.

Gjatë gati 20 orë pyetjesh të drejtpërdrejta, gjykatësi federal Neil Gorsuch vazhdimisht shmangu përgjigjet ndaj pyetjeve të vështira, nganjëherë me humor dhe komplimente.

"Senator, unë admiroj mënyrat e ndryshme [[të qeshura]] ... Ju do të ishit një partner i jashtëzakonshëm në sallën e gjyqit."

Por më shpesh, ai refuzoi të përgjigjej.

"Unë nuk mund t’ju premtoj se si do të vendos në një rast të veçantë. Unë nuk do të doja të jepja një opinion mbi këtë çështje pa një proces të plotë gjyqësor, senator."

Demokratët kërkuan garanci nga zoti Gorsuch se ai do t’i rezistonte presidentit Trump nëse është e nevojshme.

"Nëse ju keni një statut kundër torturës dhe përgjimit të pa autorizuar, a ka ndonjë rrethanë në të cilën presidenti mund ta injorojë këtë statut?" pyeti Senatori demokrat nga Vermonti, Patrick Leahy.

"Senator, unë mund të komentoj për një rast për të cilin mund të duhet të jap vendim", u përgjigj zoti Gorsuch.

Përgjigje të tilla i lanë të pakënaqur demokratët.

"Unë kam arritur në përfundimin se nuk mund të mbështes kandidaturën e gjykatësit Neil Gorsuch. Ai nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të shumta", u shpreh Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës në Senat.

Gjykatësit e emëruar për këtë pozitë, historikisht kanë refuzuar të tregojnë se si do të vendosin për rastet e ardhshme. Republikanët theksuan se dy anëtarët e Gjykatës së Lartë të emëruar nga ish-presidenti Barack Obama bënë të njëjtën gjë, megjithatë atë u konfirmuan.

"Nëse ne do të votojmë kundër një të emëruari sepse ata nuk thonë atë që duam të dëgjojmë për çështje të rëndësishme për ne, atëherë i gjithë procesi i emërimit e humb seriozitetin", tha Senatori Lindsey Graham, nga Karolina e Jugut.

Republikanët e shohin kundërshtimin e demokratëve ndaj zotit Gorsuch si pjesë të një fushate më të gjerë për të penguar axhendën e Presidentit Trump.

"Edhe më shumë se katër muaj pas zgjedhjeve, disa njerëz nga e majta refuzojnë të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të vitit të kaluar. Ka ardhur koha të kapërcejmë këtë qëndrim dhe t’i kthehemi punës serioze të qeverisjes. Një mënyrë se si mund ta bëjmë këtë është duke konfirmuar gjykatësin Gorsuch", tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell.

Edhe grupet e jashtme kanë reaguar mbi emërimin e gjykatësit Gorsuch.

"Ne besojmë se ai i plotëson dhe i tejkalon standardet më të larta të integritetit, aftësisë profesionale dhe temperamentit gjyqësor", tha Nancy Degan, e Shoqatës së Juristëve Amerikanë.

"Tani do të jetë një kohë veçanërisht e rrezikshme për të promovuar në Gjykatën e Lartë një gjyqtar i cili nuk do t’i rezistonte zgjerimit të pushtetit presidencial", tha Elisa Massimino, e organizatës "Human Rights First".

Si parti e pakicës, demokratët kanë pak mundësi për të bllokuar konfirmimin e gjykatësit Gorsuch. Nëse ata vendosin të përdorin taktikat vonuese, republikanët mund të ndryshojnë rregullat në Senat duke e bërë të mundur miratimin e të emëruarve për anëtar të Gjykatës së Lartë me një shumicë të thjeshtë.

Nëse konfirmohet, Gorsuch do të zëvendësonte gjykatësin konservator Antonin Scalia, i cili vdiq vitin e kaluar.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG