Lidhje

NDI: "Gara e ngushtë, rreziku i manipulimit"


Dean: “Qëndrimet e papërshtatshme të partive mund ta minojnë këtë proces, mund të ulin besimin e publikut tek zgjedhjet”.

Instituti Kombëtar Demokratik Amerikan, i njohur si NDI, publikoi sot një deklaratë në Tiranë për situatën parazgjedhore, sipas të cilës, Kodi Zgjedhor është shumë i mirë, por partitë kanë gjithçka në dorë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Misioni i vlerësimit parazgjedhor në Shqipëri deklaroi pas një serie studimesh dhe takimesh me politikanët dhe zyrtarët kryesorë se “kuadri ligjor i zgjedhjeve është përmirësuar në masë të konsiderueshme”, dhe “nëse ai do të zbatohet saktë atëherë zgjedhjet do të jenë të besueshme dhe rezultati i pranueshëm”.

I shoqëruar nga Ellen Weintraub, kryekomisionerja federale e zgjedhjeve amerikane, guvernatori Howard Dean tha se “qëndrimet e papërshtatshme të partive mund ta minojnë këtë proces, mund të ulin besimin e publikut tek zgjedhjet”. Sipas tij, qytetarët dhe partitë duhet të garantojnë numërimin e saktë të votave.



“Ka patur një përparim domethënës në procesin politik dhe në përfshirjen e grave në institucionet vendimmarrëse. Por edhe pjesëmarrja e grave, transparenca edhe menaxhimi i procesit zgjedhor janë përgjegjësi e partive politike, të cilat duhet të krijojnë një klimë politike për konkurrencë të ndershme”.

Sipas guvernatorit Dean, partitë nuk duhet të ndërhyjnë në administrimin e procesit dhe nxjerrjes së rezultatit, ndërsa vëzhguesit dhe komisionerët duhet të shfaqin sjellje paqësore e të kulturuara, sepse ligjet zgjedhore, listat zgjedhore dhe forcat e sigurisë janë përmirësuar.

“Polarizimi aktual politik është shumë i lartë, duke rrezikuar zgjedhjet demokratike dhe manipulim të procesit. Partitë kanë një rol të madh në proces dhe ato e kanë bërë këtë ligj që ta kenë vetë në kontroll procesin” - tha ai.
NDI mendon se “gara pritet të jetë e ngushtë, dhe kjo ka sjellë shqetësimin e publikut se zelli për të fituar me çdo kusht mund të çojë në manipulim të procesit në çdo hap, para dhe gjatë votimit, gjatë numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Partitë duhet të shmangin ndërhyrjet e panevojshme dhe manipulimet partiake”.

Kryeministri Sali Berisha dhe Partia Demokratike zhvilloi po sot një tubim me përkrahësit e vet, duke u shprehur i sigurtë në fitore dhe në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Opozita socialiste ka shprehur mosbesim ndaj KQZ dhe listave zgjedhore, por edhe ajo shprehet mjaft e sigurtë në fitore. Vëzhguesit mendojnë se kjo siguri e madhe në fitore me të cilën partitë frymëzojnë militantët politikë mund të jenë problemi i vërtetë gjatë dhe pas procesit zgjedhor, kur njëra palë duhet të pranojë humbjen e zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG