Departamenti amerikan i Drejtësisë po vepron me shpejtësi për të ngritur akuza federale kundër 53 personave të dyshuar për dhunë gjatë protestave që përfshinë Shtetet e Bashkuara dhe ku kërkohej t’i jepej fund brutalitetit të policisë.
Prokurori i Përgjithshëm William Barr premtoi masa të ashpra ndaj anëtarëve të lëvizjes antifashiste të njohur si Antifa dhe "ekstremistëve" të tjerë të cilëve ai u hedh fajin se ndihmuan për të shkaktuar dhunën.
Por një analizë që Reuters u bën të dhënave të gjykatave federale për akuzat, postimet në media sociale nga disa prej të dyshuarve dhe intervista të ndryshme me avokatë mbrojtës apo prokurorë, arrijnë në përfundimin se bëhet fjalë më tepër për akte spontane dhune nga njerëz që kanë pak lidhje me Antifën ose grupe të tjera të majta.
Reuters shqyrtoi vetëm rastet federale, për shkak të pretendimeve të Departamentit të Drejtësisë për përfshirjen e Antifës dhe grupeve të ngjashme, dhe pasi akuzat federale në përgjithësi sjellin dënime më të ashpra. Në disa nga dokumentet e akuzave të shqyrtuara nga Reuters, nuk bëhen aludime për ndonjë akt të dhunshëm.
Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë mbi gjetjet e Reuters dhe iu referua një interviste që zoti Barr dha për Fox News të hënën. Sipas zotit Barr, departamenti i tij po bënte disa hetime në lidhje me Antifën, por ishte ende në "fazën fillestare të identifikimit të njerëzve".
Në disa nga qindra demonstrimet kryesisht paqësore gjatë javës së kaluar pati plaçkitje dhe dhunë.
Ndërsa zoti Barr dhe Presidenti Donald Trump kanë veçuar në mënyrë të përsëritur Antifën, një lëvizje amorfe, kryesisht e majtë (emri rrjedh nga fjala "antifashist"), si nxitëse kryesore e trazirave, ky term nuk figuron në asnjë prej dokumenteve federale të para nga Reuters. Ka mundësi që me ecurinë e hetimit të dalin prova të reja.
Në dokumentet federale ka vetëm një grup që përmendet me emër: e ashtuquajtura lëvizje Boogaloo, ndjekësit e së cilës, sipas prokurorëve, besojnë në një luftë civile të afërt.
Ekspertë që studiojnë grupe të urrejtjes thonë se pasuesit e tij janë kryesisht elementë të ekstremit të djathtë. Prokurorët thonë se tre persona të lidhur me "lëvizjen" komplotuan për të vendosur eksplozivë në Las Vegas me shpresën për të nxitur trazira.
Tre të dyshuarit pritet të paraqiten në gjykatë federale të hënën.
Në tre ankesa të tjera penale, individët e përfshirë i treguan policisë për prirjet e tyre ideologjike pa thënë nëse janë ndjekës të ndonjë grupi të veçantë.
Në Massachusetts, 18-vjeçari Vincent Eovacious u akuzua për posedimin e një kokteji Molotov dhe - sipas ankesës kundër tij - i tha oficerit që e arrestoi se ai ishte "pjesë e grupit anarkist". Zyra e avokatëve amerikanë në këtë shtet tha se nuk kishte informacion shtesë se çfarë mund të nënkuptonte kjo.
Një tjetër person, Brian Bartels, i arrestuar në Pensilvani për spërkatjen dhe shkatërrimin e një automjeti policie, e përshkroi veten si pjesë e "së majtës së skajshme".
Në Lubbock të Teksasit, 25-vjeçari Emmanuel Quinones, demonstroi një armë zjarri gjatë një proteste dhe bërtiti: "Ky është një revolucion" dhe "Presidenti Trump duhet të vdesë" kur po arrestohej, sipas prokurorëve. Ai pranoi se kishte postuar mesazhe në mediat sociale që synonin të frikësonin mbështetësit e zotit Trump.
Facebook Forum