Lidhje

Shqipëri, ish i burgosuri i vë zjarr vetes


Në Shqipëri, një ish i burgosur politik u shtrua në spital pasi i vuri vetes zjarrin për të kërkuar kompensim më të shpejtë për viktimat e regjimit komunist.



53-vjeçari Gjergj Ndreca është në mesin e një grupi prej 25 ish të burgosurish politikë në grevë urie në qendër të Tiranës. Ata kërkojnë që qeveria të përmbushë premtimet për të paguar viktimat e regjimit me 18,32 dollarë për çdo ditë që kanë kaluar në burg.

Kryetari i grevës së urisë së ish të burgosurve politikë, Ndreca, po mjekohet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ai po drejtonte prej 17 ditësh një grevë urie me kërkesa ekonomike, kur sot në mëngjes ai leu trupin me lëndë djegëse dhe njoftoi vetësakrifikimin.

Zjarri me trupin e tij shpërtheu në çastin kur disa mjekë, ndihmësmjekë, policë dhe grevistë u hodhën mbi të për ta penguar në këtë veprim ekstrem.

Mjekët thanë se plagët janë të shkallës së dytë të rrezikut ndërsa policia dyshoi se autori i zjarrit mbi trupin e Ndrecës është një tjetër grevist i urisë.

Pamjet e tv A1 Report u shfaqën më pas edhe në media të tjera, dhe janë këto pamje ku policia mbështet dyshimet se zjarrin e ka një prej grevistëve.

Një grup tjetër ish të dënuarsish nga regjimi komunist, qytetarë, minatorë dhe studentë zhvilluan më pas një tubim proteste para parlamentit shqiptar në mbështetje të grevës, duke u bërë thirrje deputetëve që të përshpejtojnë procedurat e pagesave për ish të burgosurit.

Ky grup ish të burgosurish politikë është duke kërkuar dëmshpërblimet e burgimit të padrejtë nga diktatura komuniste për të cilën kanë marrë pafajsinë.

Përfaqësues të qeverisë pohuan se dëmshpërblimet po ndahen rregullisht sipas ligjit afateve dhe kësteve që janë programuar, madje, sipas tyre, asnjë qeveri tjetër nuk ka dhënë më parë shuma aq të konsiderueshme sa koalicioni qeveritar aktual.
XS
SM
MD
LG