Lidhje

Uashingtoni dhe paralajmërimet mbi ndryshimet klimatike


Shtëpia e Bardhë nuk ka lëshuar asnjë thirrje për veprim ndaj paralajmërimeve lidhur me ndryshimet klimatike, më të fortat e bëra ndonjëherë nga agjencitë amerikane dhe që përmbajnë disa nga parashikimet më të zymta deri më sot. Shtëpia e Bardhë e ka kaluar në heshtje raportin e Vlerësimit Kombëtar për Klimën, ndërkohë që Presidenti Donald Trump vazhdon ta ironizojë konceptin e ngrohjes globale.

Raporti paralajmëron stuhi masive shoqëruar me përmbytje rekord e thatësira të mëdha që pritet të shkaktojnë zjarre shkatërruese. Agjencitë federale që bashkëpunuan për përgatitjen e Vlerësimit Kombëtar mbi Klimën parashikojnë "ngjarje të shpeshta dhe tejet ekstreme të motit e klimës" me pasoja katastrofike për njerëzit, shëndetin, pronën, bujqësinë dhe produktin ekonomik.

Administrata Trump nuk e bllokoi raportin, por e publikoi të premten pa shumë zhurmë, menjëherë pas festës së Falënderimeve, në ditën më të ngarkuar me blerje të vitit për amerikanët.

"Dua një klimë të mirë dhe do ta kemi. Do të kemi pyje shumë të sigurta", tha Presidenti Trump.

Ditë më parë, Presidenti Trump tërhoqi vëmendjen për një rrymë të beftë të ftohti në Shtetet e Bashkuara, duke ngritur pyetjen në faqen e tij në twiter: "Çfarë ka ndodhur me ngrohjen globale?"

Por të tjerë e shohin raportin si një thirrje për t’u përgatitur.

"Flet për ndikimin që do të ketë në vende si ai nga vij unë, zona veri-qendrore e Amerikës, ku do të shihni shkatërrim të të korrave. Ndërkohë po shihni uraganët për shkak të ngrohjes së oqeanit dhe sigurisht po shihni qartësisht, zjarre të tmerrshëm në perëndim. Kjo është pikërisht ajo që NASA dhe ushtria jonë kanë parashikuar për vite dhe është koha për të vepruar ndaj saj", thotë senatorja demokrate Amy Klobuchar.

Senatorja Klobuchar vuri në dukje se nën qeverisjen e zotit Trump, qëllimet për një energji dhe në lëshim të pastër të gazit nga automjetet kanë bërë hapa pas ose janë tkurrur. Presidenti, tha ajo, tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga një pakt global për të ulur efektin serë në mjedis.

Presidenti Trump ka thënë se nuk është i bindur se është aktiviteti njerëzor ai që po shkakton ndryshime klimatike dhe argumenton se ulja e çlirimit të gazit karbonik do të dëmtonte ekonominë amerikane. Raporti i njohur si Vlerësimi Kombëtar për Klimën përmban një kundërpërgjigje sipas të cilës nëse nuk kontrollohet, një planet i ngrohur mund ta tkurrë prodhimin ekonomik të SHBA-së me 10 për qind gjatë këtij shekulli.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG