Lidhje

“Në Kohën Time”, libër i ri i nënpresidentit Dik Çeni


“Në Kohën Time”, libër i ri i nënpresidentit Dik Çeni
“Në Kohën Time”, libër i ri i nënpresidentit Dik Çeni

Ish zëvendës presidenti Dick Cheney e filloi karrierën e tij politike duke punuar në administratën e presidentit Nixon, për të arritur deri në marrjen e postit të zëvendës presidentit 30 vjet më vonë. Në librin e tij, “In My Time” (Në Kohën Time), zoti Cheney diskuton mbi karrierën e tij të gjatë dhe mbi polemikat që shoqëruan kohën e shërbimit të tij. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, njofton se duke promovuar librin e tij në Chicago, ish-zëvendës presidenti foli edhe mbi jetën e tij si dhe mbi shqetësimet e tij në lidhje me Iranin dhe Irakun

Pasi foli për pothuajse 45 minuta mbi përvojën e tij gjatë punës së bërë për pesë presidentë republikanë, pyetja e parë që iu drejtua ish-zëvendës presidentit Dick Cheney nga publiku prej rreth 400 vetësh, në sallën e Union League Club, ishte mbi Iranin, se ëfarë pasojash do të kishte në se ky vend zotëropnte armën bërthamore dhe ç’mund të bënin Shtetet e Bashkuara për ta parandaluar një gjë të tillë.

“Unë jam shumë i shqetësuar për këtë. Ata kanë zhvilluar një sistem centrifugash të cilat janë më të mëdha, më moderne dhe më të efektshme nga ato që ata përdornin më parë. Kjo do të thotë se ata do të jenë në gjendje të pasurojnë uraniumin më shpejt sesa mundeshin me teknologjinë e mëparshme. Ata gjithashtu po vendosin shumë prej strukturave të tyre nëntokë.”

Administrata e presidentit Obama përsëriti shqetësimet e zotit Cheney në hapjen e konferencës së përgjithshme të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, në Vienë të Austrisë. Sekretari amerikan i energjisë Stephen Chu akuzoi qeverinë Iraniane për “mashtrim”, duke e cilësuar strukturën nëntokësore për pasurimin e uraniumit, pranë qytetit Qom, si “provokuese”.

“Duke u zgjeruar dhe duke u spostuar nëntokë, pasurimi i uraniumit prej tyre shënon në këtë pikë një provokim të rëndësishëm dhe e sjell Iranin edhe më pranë mundësisë për të prodhuar armë bërthamore. Kjo rrugë e ndjekur prej tyre ngre dyshime serioze mbi qëllimet paqësore të Iranit dhe mbi gadishmërinë e tij për të fituar besim.”

Gjatë kohës në të cilën zoti Cheney ishte zëvendës president, presidenti i atëhershëm George W. Bush e quajti Iranin pjesë të një “boshti të së keqes”. Iraku ishte një tjetër anëtar i të ashtuquajturit “bosht i së keqes”.

Zoti Cheney ishte sekretar i mbrojtjes nga viti 1989 deri në vitin 1993. Si shef i Pentagonit, ai drejtoi operacionin ushtarak Stuhia e Shkretëtirës, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, për çlirimin e Kuvajtit nga forcat irakiane në vitin 1991. Dymbëdhjetë vjetë më vonë, kur ai ishte zëvendës president në vitin 2003, Shtetet e Bashkuara pushtuan Irakun, duke i dhënë fund pushtetit të ish-udhëheqësit Saddam Hussein. Duke folur në Chicago, zoti Cheney shfaqi shqetësimet e tij mbi tërheqjen e trupave amerikane në Irak.

“Unë mendoj se do të ishte një tragjedi nëse ne vërtet tërheqim të gjitha trupat prej një vendi ku pastaj çdo përparim i bërë, si mbajtja e zgjedhjeve, shkrimi i një kushtetute dhe vendosja e një qeverie, do të shkatërroheshin prej një rifillimi të mundshëm të aktiviteteve terroriste, të cilat atyre iu desh t’i mposhtnin për të arritur në atë pikë që janë sot dhe për fitimin ndaj të cilave u desh ndihma jonë me anë të veprimeve të urdhëruara nga presidenti Bush.”

Zoti Cheney thotë se duhet të jenë komandantët ushtarakë ata që duhet të vendosin nivelin e pranisë së trupave atje.

“Unë mendoj se 3 mijë trupa nuk janë të mjaftueshme dhe se nevojiten më tepër nëse duam të kemi ndonjë lloj aftësie te rëndësishme për veprim.”

Ndërsa protestuesit e grumbulluar jashtë ndërtesës së ku zoti Cheney po fliste mbanin në duar tabela me shkrimin “Përfundoni torturën tani”, zoti Cheney i mbrojti teknikat e marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm të përdorura kur ai ishte zëvendës president.

“Teknika e simulimit të mbytjes me ujë është teknika që shkakton më shumë debate. Por ajo është përdorur vetëm ndaj tre personave. Për të patur bashkëpunimin e tyre, ndonjëherë duheshin përdorur teknika më të forta të marrjes në pyetje sesa thjesht leximi i të drejtave të tyre si të arrestuar.”

Zoti Dick Cheney ishte sekretar i mbrojtjes gjatë kohës së presidentit George H. W. Bush dhe më pas zëvendës president në kohën e presidentit George W. Bush. I pyetur se për cilin president i kishte pëlqyer më tepër të punonte, pët të atin apo për të birin, Zoti Cheney buzëqeshi dhe tha si informacioni ishte i “sekret”.

XS
SM
MD
LG