Sot në Egjipt bëri betimin kabineti i ri qeveritar, pas rreth dy javë protestash, ku demonstruesit kërkonin kryerjen e reformave me një ritëm më të shpjetë. Kjo ceremoni fillimisht ishte në plan të zhvillohej të hënën, por u shty pasi kryeministri Essam Sharaf nuk ishte mirë me shëndet. Në kabinetin e ri prej 27 anëtarësh ka të paktën 14 ministra të rinj, mes tyre ai i jashtëm dhe i financave.
Disa demonstrues kanë ngritur tenda në Sheshin Tahrir të Kajros me thirrjet për ndryshime. Reformistët i kanë kërkuar vazhdimisht sundimtarëve të përkohshëm ushtarakë të Egjiptit ta përshpejtojnë spastrimin e qeverisë nga elementët e qeverisë së Presidentit Hosni Mubarak, që akuzohen për korrupsion dhe ushtrim dhune.