Lidhje

Netanyahu në takim me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë


Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu po takohet në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e SHBA, Donald Trump dhe pas kësaj do të niset menjëherë për në Izrael, duke e shkurtuar vizitën, për shkak të një sulmi me raketa nga Rripi i Gazës. Vizita vjen në një kohë që zoti Netanyahu përpiqet të sigurojë mbështetje politike për zgjedhjet e 9 prillit si dhe ndërkohë që Presidenti Trump pritet të njohë zyrtarisht sovranitetin izraelit mbi Lartësitë Golan.

Në një deklaratë ku njoftonte planet për shkurtimin e vizitës, zoti Netanyahu u zotua se Izraeli do të reagonte me forcë ndaj asaj që e quajti një "sulm kriminal" ndaj vendit të tij.

Raketa goditi një shtëpi në Izraelin qendror, në verilindje të Tel Avivit, duke plagosur shtatë vetë.

"Ne u zgjuam nga shpërthimi, unë jetoj disa rrugë më larg, xhamat e dritareve u dridhën dhe në shtëpitë që ishin më parë, ato u shkatërruan. Ne telefonuam për të parë nëse kishte të plagosur dhe se si mund të ndihmonim", thotë një banor

Policia izraelite tha se raketa ra në komunitetin Mishmeret, në veri të qytetit Kfar Saba, duke shkaktuar zjarr dhe shkatërrimin e shtëpisë.

Ushtria izraelite tha se kishte identifikuar një raketë të lëshuar nga Rripi i Gazës.Deri tani askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për incidentin.

Sulmi vjen 10 ditë pas një tjetër incidenti, kur raketat goditën kryeqytetin Tel-Aviv, një zonë me popullsi të dendur.

Vizita e zotit Netanjahu në Uashington vjen ndërkohë që ai përpiqet të sigurojë mbështetje politike për zgjedhjet e 9 prillit, një garë e vështirë, ku ai do të përpiqet të rizgjidhet dhe ndërkohë që Presidenti Trump pritet të njohë zyrtarisht sovranitetin izraelit mbi lartësitë e diskutueshme Golan në verilindje të tij.

Izraeli e pushtoi këtë territor nga Siria gjatë Luftës Gjashtë Ditore më 1967 dhe e aneksoi atë në vitin 1981.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG