Lidhje

Një pajisje e re ndihmon të verbërit


Një pajisje e re e shkëlqyer që ndihmon të verbërit “të shikojnë” është prodhuar nga një kompani në Izrael. Ai është një kompjuter xhepi, i lidhur me një kamer të instaluar tek syzet, që shpjegon çdo situatë në të cilën gjendet përdoruesi, përfshirë leximin e gazetës dhe blerjet në supermerkatë.

Për njerëzit e verbër, supemerkata është një nga vendet më të vështira për t’u orientuar, duke patur parasysh numrin e madh të artikujve. Por blerja e ushqimeve dhe shërbime të tjera të përditëshme po bëhen më të lehta, për njerëz si Liat Negrin. Nëpërmjet pajisjes së re, ajo mund të tregojë se çfarë do të lexojë dhe kompjuteri e bën për të.

Duke përdorur një kamera të ndjeshme dhe një algoritëm të sofistikuar, kompania izraelite OrCam Technologies, ka krijuar një pajisje që do të ndryshonte krejt jetën e të verbërve:

“Kjo më jep pavarësi sepse i bëj gjërat vetë. Nuk kam nevojë për favore, nuk kam nevojë të më shoqërojnë asgjëkundi, mund të shkoj në pika të reja, pa patur nevojë të mbaj mend hollësitë. Nëse humbas ose ç’orjentohem, mjafton të tregoj me gisht dhe Orcam më lexon tekstin dhe tabelat”.

Pajisja përbëhet nga një kamera dhe një kompjuter xhepi. Kamera lidhet me syzet dhe skanon çfarë ka përpara. Mjeti është programuar të njohë gishtin dhe kur përduruesi tregon me gisht etiketën, tabelën, gazetën, dritat e trafikut, e kështu me radhë, ajo lexon atë që ka përpara.

Pajisja përdor atë që quhet teknologji e kockës, e cila dërgon sinjalin në vesh nëpërmjet kockës së kafkës, pa përdorur pajisje veshi dhe në këtë mënyrë përdoruesi nuk shqetësohet nga tingulli në vesh. Pajisja kushton 2500 dollarë dhe kompania ka në plan ta hedhë atë në treg në muajin shtator, me klientët më të shumtë në Shtetet e Bashkuara.
Themeluesi i OrCam, Amnon Shashua, thotë se pajisja është projektuar që të përdoret për asistencë:

“Njerësit me pamje të kufizuar, shikojnë diçka por jo gjithçka për të menaxhuar jetën e përditëshme. Ne po mendonim se si do të ishte jeta e tyre nëse do të kishin një ndihmës në krah, i cili shikon në të njejtin drejtim, kupton se çfarë informacioni i duhet personit në një pikë të caktuar. Praktikisht përdoruesi tregon me gisht diçka dhe mjeti i pëshpërit në vesh gjithë informacionin që gjendet atje”.

OrCam është pjesë e teknologjisë së avancuar në Izrael. Shumë nga inxhinierët e kompanisë vinë nga njësitë elite të teknologjisë në ushtrinë e Izraelit. Vetë Amnon Shashua është edhe profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin Hebraik të Jerusalemit.

Pajisja e projekuar nga OrCam është superiore në krahasim me mjete të tjera ndihmëse për të verbërit pasi ajo imiton leximin e personit në një mjesis natyral dhe ia lexon atij informacionin në kohë reale.

OrCam thotë se pajisja mund të përdoret edhe nga njerëzit që janë krejtësisht të verbër, por në një mënyrë tjetër. Meqë ata nuk janë janë në gjendje të shkojnë në një drejtim të caktuar, ata duhet të tregojnë me gisht disa herë, deri sa të gjejnë se çfarë kërkojnë.
Pajisja e OrCam-it për të verbërit u ofrohet tani për tani vetëm anglisht folësve, por Shashua thotë se kompania ka në plan ta përshatë atë së shpejti dhe për gjuhë të tjera.


XS
SM
MD
LG