Lidhje

Nju Jork, 12 veta humbin jetë nga zjarri në Bronks


Dymbëdhjetë veta humbën jetën, ndërsa katër të tjerë pësuan plagë të rënda dhe po luftojnë për jetën, pas një zjarri të furishëm në një ndërtesë banimi të enjten mbrëma, në një natë të akullt në Bronks.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio tha se mes viktimave është edhe një foshnjë rreth njëvjeçare.

“Mund të humbim edhe njerëz të tjerë", tha ai në një deklaratë para ndërtesës së përfshirë nga zjarri.

Komisioneri i Zjarrfikësve, Daniel Nigro, e cilësoi zjarrin "historik në fuqinë e tij" për sa i përket numrit të viktimave.

Zjarri shpërtheu në një ndërtesë pesëkatëshe, pranë parkut zoologjik të Bronksit.

Rreth 170 zjarrfikës u angazhuan në të ftohtin e madh për të shpëtuar njerëzit e bllokuar në ndërtesë. Uji që përdornin zjarrfikësit ngrinte në rrugë.

Zjarri filloi në katin e parë dhe shpejt përfshiu pjesën më të madhe te ndërtesës, thanë autoritetet.

Ende nuk dihet se përse zjarri u përhap me shpejtësi aq të madhe në një ndërtesë prej tullash.

Ndërtesa kishte më tepër se 20 apartamente dhe ishte tepër e vjetër për të patur sisteme moderne të mbrojtjes nga zjarri si spërkatës automatikë uji.

Dëshmitarët thanë se kishin parë zjarrfikësit të nxirrnin jashtë ndërtesës me barela trupa të djegur si dhe vajza të reja që kishin shpëtuar por që qëndronin jashtë në të ftohtit e madh pa këpucë dhe pa veshje dimri.

Një nga zjarret më vdekjeprurës në Bronks ndodhi në vitin 2007. Nëntë fëmijë dhe një i rritur humbën jetën nga zjarri që u shkaktua nga një ngrohës elektrik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG