Lidhje

Nju Jork: Vdes njeriu më i moshuar i botës


Mbrëmë në lagjen Bruklin të Nju Jorkut vdiq njeriu më i moshuar i botës Susannah Mushatt Jones. Ajo ishte 116 vjeçe dhe jetonte në një shtëpi për të moshuarit, ku edhe vdiq. Robert Young, i Grupit të Kërkimeve Gerontologjike, që regjistron të dhëna për njerëzit e botës që jetojnë më gjatë, tha se zonja Jones që njihej shkurtimisht si Mis. Suzi, ishte amerikania e fundit e lindur në shekullin e 19-të.

Ajo kishte lindur në vitin 1899 në një fermë të vogël në Alabama. Së bashku me 11 vëllezër dhe motra, ata i ksihn patur gjyshërit skllevër. Në vitet e rinisë, ajo ecte 11 kilometra në ditë për të shkuar në një shkollë për afrikano-amerikanët dhe e mbaroi shkollën në vitin 1922. Familja pagonte për shkollimin e saj nga paratë që nxirrte nga shitja e drurëve për zjarr dhe misrit që e mbillnin vetë në fermë. Pasi përfundoi studimet, Jones qëndroi për një vit me familjen e saj, për të ndihmuar me korrjet. Pastaj ajo u vendos në Nju Xhërsi, ku punoi si bejbisiter dhe më vonë shkoi në Nju Jork. Atje, së bashku me shoqet e saj të shkollës së mesme, krijuan një fond bursash për vajzat afrikano-amerikane që donin të kryenin universitetin.

Mbesa e zonjës Jones i tha agjencisë “Associated Press” se ajo i donte shumë fëmijët, por vetë nuk kishte patur kurrë. Ajo kishte qenë e martuar për pak vite. Me vdekjen e Susannah Mushatt Jones, tani njeriu më i moshuar i botës është 116-vjeçarja Emma Morano nga Italia. Edhe ajo ka lindur në vitin 1899, disa muaj pas zonjës Jones. Morano mendohet të jetë njeriu më i vjetër i botës, që ka lindur në shekullin e 19-të.

XS
SM
MD
LG