Lidhje

Ngërçi në Uashington vonon paketën e ndihmës financiare


Njerëzit që kërkojnë punë presin në radhë përpara Qendrës për Karrierën, në Kentucky

Në Shtetet e Bashkuara, personat e konfirmuar me koronavirusin kanë kaluar katër milionë e gjysëm. Ndërkohë, statistikat e muajit qershorit tregojnë se papunësia është në mbi 11 përqind. Republikanët e Senatit dhe demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve mbeten në mosmarrëveshje rreth një projekt-ligji lehtësimi financiar për qytetarët amerikanë. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Esha Sarai.

Një pagesë javore prej 600 dollarësh për amerikanët e papunë në mes të pandemisë së koronavirusit skadoi në fund të javës së kaluar, por demokratët këmbëngulin ta shtrijnë atë deri në fund të vitit.

Nancy Pelosi
Nancy Pelosi

"Ne kemi qenë për 600-shen. Ata kanë një propozim prej 200 dollarësh që nuk i plotëson nevojat e familjeve punëtore në Amerikë - është një shpërfillje, sinqerisht", tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

Udhëheqësit republikanë kanë argumentuar se pagesa prej 600 dollarësh në javë do të inkurajonte disa njerëz të mbeten të papunë. Një studim i fundit i Universitetit Yale thotë se asistenca nuk i dekurajoi njerëzit të punojnë.

"Ka raste kur njerëzit janë mbipaguar, ka raste kur njerëzit janë paguar më pak, çështja është se ne duhet të arrijmë një marrëveshje për ta zgjatur këtë (ndihmë financiare)", tha Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin.

Republikanët po propozojnë afro 1 trilion dollarë në ligjin HEALS, ndërsa demokratët janë duke përdorur ligjin HEROES prej 3 trilion dollarësh që miratuan në fillim të këtij viti, si pikënisjen e tyre në negociata. Të dyja palët pranojnë se nuk janë afër një marrëveshjeje.

Steven Mnuchin
Steven Mnuchin

Ne duhet të vendosim balancën. Padyshim që ka një nevojë për të mbështetur punëtorët, për të mbështetur ekonominë; njerëzit pa asnjë faj të tyre janë mbyllur për shkak të kësaj sëmundjeje të tmerrshme. Nga ana tjetër, ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mos grumbulluar borxhe të mëdha për brezat e ardhshëm", tha zoti Mnuchin.

Por ligjvënësit paralajmërojnë se ndërsa bisedimet për ndihmë ekonomike vazhdojnë, vendi duhet të reagojë ndaj numrave në rritje të rasteve të konfirmuara dhe të vdekjeve nga koronavirusi.

"Në negociatat tona ne po flasim për përballjen me disa prej pasojat e pandemisë, por fakti është se ne duhet ta mposhtim këtë virus dhe kjo është një nga pikat për të cilat ende nuk kemi arritur ndonjë marrëveshje", tha zonja Pelosi.

Ndërsa afati për të paguar qeranë e gushtit kaloi këtë fundjavë për shumë njerëz në të gjithë vendin dhe rastet e konfirmuara të koronavirusit vazhdojnë të shënojnë nivele rekord në shumë shtete, amerikanët presin një rrugëdalje nga Uashingtoni këtë javë.

XS
SM
MD
LG