Lidhje

Ngecin bisedimet e paqes në Lindjen e Mesme


Të dyja palët në bisedimet e paqes në Lindjen e Mesme janë sprapsur nga angazhimet që morën vitin e kaluar në fillim të procesit. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, i cili ka bërë shumë vizita të vështira në rajon ka anuluar planet për një vizitë tjetër megjithëse disa diskutime mes negociatorëve po vazhdojnë.

Palestinezët festuan të martën pasi presidenti i tyre, Mahmoud Abbas kërkoi për t’u anëtarësuar në 15 organizata ndërkombëtare – një hap drejt një shtetë-formimi de-fakto, që e kishte pezulluar vitin e kaluar për të rifilluar bisedimet e paqes.

Zoti Abbas dhe kabineti i tij janë të zemëruar nga ngadalësia e bisedimeve dhe me refuzimin e Izraelit për të përmbushur një nga premtimet para bisedimeve – lirimin e grupit të fundit të të dënuarve palestinezë.

Pas lëvizjes së presidentit Abbas, sekretari Kerry – i cili ka arritur t’I kapërcejë pengesat e deritanishme në përpjekjet e tij për një marrëveshje paqeje – anuloi planet për t’u rikthyer në rajon për bisedime të mëtejshme.

“Mundësia që gjatë vitit 2014 të ketë një marrëveshje përfundimtare është shumë e zbehtë”, thotë analisti për Lindjen e Mesme Jordan Perry me firmën konsulente Maplecroft.

“Sekretari Kerry e ka bërë të qartë ditët e fundit se ndjen se ka bërë aq sa mundet si ndërmjetësues mes izraelitëve dhe palestinezëve. Ata tani duhet ta kapërcejnë këtë pengesë të re”, shtoi ai.

Sipas analistit Amnon Aran në Universitetin City të Londrës, kjo ka të ngjarë të jetë e vështirë.

“Më duket sikur janë angazhuar në një shfaqje teatrale, të gjithë ata.”

Zoti Arani thotë se udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë janë takuar me sekretarin Kerry për nevoja politike, jo për arsye se janë vërtet të gatshëm të bëjnë lëshimet e vështira të nevojshme për të arritur paqen.

“Nuk është kuptuar siç duhet fakti se ky episod është ndryshe nga të tjerët në kuptimin që në se nuk funksionon, mund të mos ketë një shans tjetër, dhe padyshim jo me kushte kaq të favorshme”, thotë zoti Arani.

Megjithatë, sekretari Kerry nuk është dorëzuar ende, duke dhënë shpresa edhe pas njoftimit palestinez të martën dhe ndryshimit të planeve të tij.

“Është e parakohshme të nxjerrësh ndonjë gjykim për këtë çështje në këtë pikë kur ka shumë mundësi të tjera në lojë.”

Sekretari Kerry i ka ndryshuar dy here synimet që caktoi vitin e kaluar – nga arritja e një marrëveshje të plotë deri në fund të këtij muaji, në arritjen e një marrëveshje kornizë, dhe më pas thjesht në zgjatjen e afatit përtej muajit prill. Tani, në se ai rifillon negociatat mes Jeruzalemit dhe Ramallahut, synimi do të jetë thjesht për të shpëtuar bisedimet dhe bashkë me to edhe shansin e pakët për të arritur një paqe prë të cilën diplomatët janë përpjekur për dekada të tëra.
XS
SM
MD
LG