Lidhje

Në kujtim të astronautit Neil Armstrong


Armstron obit
Armstron obit

Armstrong komandoi anijen amerikane të hapësirës Apollo 11 që zbriti në Hënë më 20 korrik 1969

Bota po kujton sot veprën e astronautit legjendar Neil Armstrong. Ish astronauti amerikan, njeriu i parë që shkeli në sipërfaqen e Hënës, vdiq mbrëmë në shtetin Ohajo. Presidenti Obama bëri një deklaratë dje, në të cilën e quajti Armstrongun “një prej heronjve më të mëdhenj amerikanë, jo vetëm për kohën e tij, por për të gjitha kohrat”. 82-vjeçari Armstrong vdiq në banesën e tij në Sinsinati të Ohajos pas një ndërhyrjeje kardiovaskulare disa javë më parë. Ai mbetet simbol i kureshtjes dhe ambicjes së njerëzimit për të eksploruar horizontin jashtë-tokësor:

Neil Armstrong hyri në histori në momentin kur hodhi hapin e parë jashtë anijen Apolli 11, duke u bërë njeriu i parë që shkelte mbi Hënë.

“Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigand për njerëzimin,” ishin fjalët e tij pas daljes nga kapsula hapësinore.

Ai e filloi jetën në një fermë në Ohio, por interesat e tij ishin shumë larg bujqësisë. Guximi dhe ambicja e dalluan shpejt si një djalë me të ardhme. Armstrong mori patentën e pilotit të avionëve që në moshën 16 vjeç, ende pa marrë patentën e makinës. Sapo mbaroi shkollën e mesme, hyri në Universitetin Purdue për të studiuar inxhinieri aeronautike, por u detyrua t’i ndërpresë studimet pasi e thirrën për shërbimin ushtarak. Ai kreu 78 fluturime ushtarake gjatë luftës në Kore.

Pas shërbimit ushtarak, ai iu kthye studimeve duke përfunduar universitetin dhe më pas edhe një gradë shkencore në inxhinieri të aeronautikës nga Universiteti i Kalifornisë së Jugut. Ai filloi punë si pilot provash për agjencinë që i parapriu krijimit të NASA-s. Menjëherë pas krijimit të agjencisë NASA, Neil Armstrong u pranua si astronaut i klasit të dytë në vitin 1962 dhe u ngarkua me detyrën e drejtimit të misionit Gemini 8 në vitin 1966.

Në këtë moment ai ishte shndërruar në një nga shpresat e eksplorimit të hapësirës për Shtetet e Bashkuara. Ai u ngarkua me misionin e nënkomandantit të misionit historik Apollo 8 në fund të vitit 1968. Gjatë këtij misioni ai dhe 3 astronautë të tjerë iu rrotulluan Hënës 10 herë duke hapur rrugën për zbritjen historike shtatë muaj më pas.

Zbritja e anijes Apollo 8 në Hënë ishte një akt shumë më i madh se thjesht një arritje shkencore. Zbritja e amerikanëve në Hënë realizohej në një kohë kur Shtetet e Bashkuara ishin mbërthyer në një garë intensive me Bashkimin Sovjetik për eksplorimin e hapësirës. Armstrongu vetë u ndal për një moment emocional, siç e quajti, në kujtim të astronautëve amerikanë dhe kozmonautëve sovjetikë që kishin vdekur gjatë misioneve hapësinore.

Megjithë karrierën e ndritshme si pilot i Marinës Amerikane, dhe astronaut i NASA-s, ai nuk u dha kurrë pas famës dhe bujës që shoqëronte misionet e tij. Ai mbeti deri në fund, një eksplorues dhe inxhinier i apasionuar. Ai mori për një periudhë të shkurtër detyrën e zëvendës administratorit për aeronautikën në NASA, por u largua për t’u bërë profesor i inxhinierisë aeronautike në Universitetin e Sinsinatit.

Megjithëse larg jetës publike, ai mbeti simbol i kureshtjes njerëzore për hapësirën dhe i ambicjes për të eksploruar horizontet jashtëtokësore. Në vitin 2009, Presidenti Obama ftoi ekuipazhin e anijes Apollo 11 në Shtëpinë e Bardhë:

“Shumë rrallë kam një kënaqësi kaq të jashtëzakonshme si sot, që kam ftuar këto figura, këta tre heronj të vërtetë amerikanë, Neil Armstrong, Michael Collins dhe Buzz Aldrin. Është diçka e mrekullueshme”.

Neil Armstrong u nda nga jeta dje në moshën 82-vjeçare. Familja e tij e përshkruan si një njeri të përkushtuar ndaj familjes dhe po i nxit adhuruesit e tij që kur t’u qëllojë të dalin natën nën një qiell të kthjellët dhe të ngrenë sytë nga hëna, të mendojnë për Armstrongun dhe t’i dërgojnë një përshëndetje.
XS
SM
MD
LG