Lidhje

Matthew Nimetz në Maqedoni për bisedimet mbi emrin


Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për çështjen e emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë, ambasadori Matthew Nimetz ka mbërritur në Shkup ku të enjten do të takohet me drejtuesit shtetërorë dhe politikë lidhur me zhvillimet rreth emrit të Maqedonisë.
Zoti Nimetz vjen në Shkup nga Athina, ku kishte diskutuar mbi pesë propozimet e tij për emërtimin republikës ish-jugosllave. Ai tha në Shkup se shpresonte në takime të frytshme me palën maqedonase.
Ambasadori Nimetz nuk ka folur pubikisht për propozimet e tij, por ato tashmë janë bërë të njohura qoftë nga ministri i jashtëm grek Koxias, apo nga media në dy vendet fqinje.
Sipas kësaj, referencat për të cilat diskutohet janë: Republika e Maqedonisë së Epërme, Maqedonia e Re, e Vardarit, e Veriut dhe Republika e Maqedonisë – Shkupi. Sipas medias në Athinë, pala greke i ka sugjeruar ndërmjetësit Nimetz fjalën e përbërë “Republika GornaMakedonija” në trajtën maqedone për emrin e ri të fiqnjit verior.
Kjo referencë, që do të thotë Republika e Maqedonisë së Epërme do të përdorej edhe në komunikim ndërmkombëtar edhe për përdorim të brendshëm.
Ndërmjetësi i OKB-së do të ketë takime të ndara me presidentin Gjorgje Ivanov, me kryeministrin dhe drejtues i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev, me drejtuesin e VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski, me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, si dhe me ministrin e jashtëm Nikolla Dimitrov.
Pala maqedonase vlerëson se tani është momenti i vërtetë për gjetjen e një zgjidhjeje për emrin e vendit. Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski i tha medias të mërkuren se “ekziston një vullnet politik për zgjidhjen dhe për ngritjen e marrëdhënieve me Greqinë në një nivel të lartë që nuk ka qenë asnjëherë më parë”.
Pala maqedonase synon që pas arritjes së një kompromisi rreth emrit, çështjen ta nxjerrë për miratim në referendum, një gjë që do të krijonte vështrësi, sipas analistëve, me që duket po aq e vështirë arritja e një konsensusi gjithpërfshirës në Shkup për problemin me emrin, ndërsa edhe brenda partnerëve të koalicionit qeveritar, LSDM-BDI ka qëndrime të kundërta lidhur me referendumin.
Problemi me emrin e ka bllokuar përparimin e Maqedonisë drejt strukturave Euro-atlantike dhe zgjidhja e shpejtë e tij do t’i hapte rrugën për anëtarësim të shpejtë në Nato dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG