Lidhje

Presidenti Nishani për guvernatorin e ri dhe bisedimet me parlamentin


"Jam tërësisht i angazhuar që të bashkëpunoj në këtë çështje. Natyrisht do të diskutojmë, do të bisedojmë. Nuk do të ketë një vendim në mënyrë të njëanshme dhe sfiduese” - tha ai.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani deklaroi se ishte i gatshëm të bisedonte me qeverinë dhe parlamentin për emrin e guvernatorit të ri të Bankës së Shqiërisë. Presidenti Nishani tha që nëse parlamenti e shkarkon nga detyra guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, sipas kushtetutës, është presidenti ai që propozon guvernatorin e ri. Zoti Nishani theksoi gjatë një bisede në Tv Klan se kriteret e vetme janë shtetësia e tij, shkollimi dhe përvoja në fushën bankare.

“Kushtetuta e përcakton qartë që propozimin për guvernatorin e ri e bën guvernatori i Republikës. Nuk kam asnjë emër. Kam angazhimin maksimal për të ushtruar përgjegjësinë maksimale dhe bashkëpunimin me parlamentin dhe natyrisht për të vënë në drejtimin e bankës së shtetit, për të qetësuar dhe garantuar opinionin publik personin më të mirë të mundshëm për të drejtuar Bankën e shtetit shqiptar” - tha ai.

Presidenti Nishani tha se dy takimet e fundit me kryeministrin Rama iu kushtuan gjendjes në Bankën e Shqipërisë. Ai përjashtoi që është diskutuar për emra kandidatësh konkretë, si edhe as mundësinë që kandidati i ri të jetë shtetas i huaj. Zoti Nishani tha se kandidati nuk mund të ketë as angazhime politike, por nevojitet të jetë një profesionist me përvojë dhe përgjegjshmëri në detyrë.

“Kam patur biseda me kryeministrin dhe kjo është krejt normale. Për këtë janë institucionet; që të angazhohen për të diskutuar me njëri tjetrin dhe për të gjetur zgjidhejt në interes të vendit. Kështu që ne duhet të jemi vazhdimisht në kontakt dhe duhet të garantojmë, bazuar në radhë të parë mbi realitetin pa e fshehur atë, bazuar edhe në mendimin e teknicienëve dhe ekspertëve, që stabiliteti bankar, financiar dhe ai ekonomik të mbeten të pacënuar” - tha ai.

Hetimi për vjedhjen e Bankës vazhdon, ndërsa gjyqi nuk ka nisur edne, ndaj edhe presidenti propozoi se duhen pritur vendimet e gjykatave. Ai tha se për vjedhjen e Bankës u informua nga guvernatori Fullani një muaj më parë, atëherë kur Banka ngriti padi ndaj autorit të vjedhjes pranë në prokurori. Zoti Nishani tha megjithatë se zoti Fullani nuk është shkarkuar ende nga detyra, por ka vetëm një propozim për shkarkim, ndërsa detyrat i kryen një zëvendësues i tij sipas ligjit. Ai theksoi se ishte i hapur për biseda me autoritetet në dobi të zgjidhjes sa më të plotë të kësaj çështjeje.

“Ne duhet të shkojmë në mënyrë konstruktive drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe nuk ka asnjë arësye që kjo çështje të bëhet pjesë e debatit dhe e betejës politike, absolutisht jo. Jam tërësisht i angazhuar që të bashkëpunoj në këtë çështje. Natyrisht do të diskutojmë, do të bisedojmë. Nuk do të ketë një vendim në mënyrë të njëanshme dhe sfiduese. Nuk është vendi për të bërë sfidë ndaj njëri tjetrit” - tha ai.

Zoti Nishani tha që nuk kishte asnjë informacion, se guvernatori po arrestohej dhe se lajmin e mësoi nga mediat, njëlloj si gjithë qytetarët e tjerë, duke shtuar që normalisht presidenti duhej të njoftohej, jo për të ndikuar drejtësinë, por për t'u përgatitur që t'u japë qytetarëve mesazhet e duhura, sepse bëhet fjalë për një institucion shumë të ndjeshëm si banka. Gjykata e Apelit vendosi dje të mbajë në arrest shtëpie guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas 10 ditë arresti me burg, që vendosi gjyakata e Turanës. Punonjës të tjerë morën po ashtu masa të ndryshme arresti. Vjedhja e Bankës me 7.2 milionë dollarë dhe arrestimi i 18 personave si të dyshuar ka tronditur prej një muaji opinionin publik, ndonëse kjo ngjarje nuk ka patur ndonjë pasojë në punën e bankave dhe tregjeve.

XS
SM
MD
LG