Lidhje

Nishani: Drejtësia sfidë e rëndësishme për Shqipërinë


Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se kreu i shtetit ka një rol kyç në kontributet që mund të japin institucionet për të garantuar një sistem drejtësie të pavarur në vend. Ai shprehu vullnetin për të dalë mbi palët politike.

Zëri i Amerikës: Zoti President, mangësitë e sistemit të drejtësisë në vendin tuaj, ndikojnë pothuajse në çdo problem tjetër me të cilin ndeshet Shqipëria: ato pengojnë luftën kundër krimit e korrupsionit, ndikojnë tek acarimi politik, pasi partitë, në kushtet e mungesës së besimit reciprok, nuk kanë një sistem të pavarur se kujt t’i besojnë, pengojnë biznesin, si çështjen aq të përfolur të pronave, dhe gjithçka tjetër. Ju keni patur fatin t’i njihni hallkat e ndryshme, duke qenë ministër i drejtësisë dhe ministër i rendit. Sipas jush, cilat janë problemet më urgjente për t’u zgjidhur në drejtësi, pa të cilat reforma mund të ngecë?

President Bujar Nishani: Është i vërtetë konstatimi juaj dhe unë ndaj të njëjtin mendim me ju që funksionimi i shtetit ligjor dhe funksionimi i demokracisë kërkojnë një sistem drejtësie profesional, të pavarur, të konsoliduar dhe tërësisht në respekt të ligjit dhe legjislacionit të vendit. Në Shqipëri, funksionimi në këtë formë i sistemit të drejtësisë mbetet një sfidë mjaft e rëndësishme. Presidenti i Republikës ka një rol të rëndësishëm, një rol kyç në kontributet që mund të japin të gjitha institucionet për të vajtur drejt një formati të tillë të sistemit të drejtësisë edhe në Shqipëri. Problemi më i madh – natyrisht sot diskutohet midis qytetarëve shqiptarë – ka të bëjë me raportin e besimit të tyre tek sistemi i drejtësisë. Por ajo çka unë kam parë, analizuar dhe arritur në konkluzion – të cilin e kam bërë dhe publik në mesazhet e mia në Shqipëri, në të gjitha institucionet ku unë kam pasur mundësi të takohem, qoftë në Gjykatën e Lartë apo në Këshillin e Lartë të Drejtësisë – hapi i parë është që ne duhet të rikthejmë besimin tek vetë gjyqtarët për sistemin e tyre, që do të thotë se këtu ka të bëjë çështja e vlerësimit dhe e promovimit të gjyqtarëve me integritet të lartë moral, me profesionalizëm dhe me përgjegjësi. Ky është hapi i parë, i cili do të sjellë më pas kontribute të qenësishme brenda gjithë sistemit të drejtësisë dhe që do të japë impaktin e tij të drejtpërdrejt dhe tek besimi i qytetarëve tek sistemi i drejtësisë. Pra nëse ne do të kemi një sistem drejtësie i cili do të menaxhohet dhe brenda të cilit ne do të kemi marrje të drejtësisë nga gjyqtarët të cilët orientohen vetëm tek profesionalizmi, vetëm tek besimi i tyre tek ligji, vetëm tek procedurat transparente, mundësia dhe aksesi i qytetarëve tek drejtësia, unë besoj që ne do të nisim një rrugë të mbarë në këtë proces.



Zëri i Amerikës: Zoti President, raportet ndërkombëtare, siç ishte ai fundit, i OSBE-së, përmendin fenomenin e pandëshkueshmërisë; zyrtarë të lartë që gjithnjë i shpëtojnë ndëshkimit ligjor dhe që në sytë e qytetarëve duket se janë bërë të paprekshëm. A mendoni se gjatë mandatit tuaj kjo prirje mund të përmbyset dhe mund të rikthehet besimi i qytetarëve tek drejtësia?

President Bujar Nishani: Kam besim të plotë që do të ketë një reflektim pozitiv në vitet që vijnë, duke pasur parasysh objektivat që përmenda pak më parë, pra ofrimin e të gjtihë atyre kapaciteteve më të mira që kemi ne mes komunitetit të gjyqtarëve, mes komunitetit të prokurorëve, pikërisht në drejtimin dhe në menaxhimin e këtij sistemi. Unë i kam kërkuar para pak kohe - në një takim që kam pasur në Gjykatën e Lartë - një bashkëpunim Gjykatës së Lartë, anëtarëve të saj duke shkuar drejt një standarti të unifikimit të praktikave gjyqësore për çështje të cilat janë të rëndësishme, si të atyre në aspektin penal ashtu dhe të atyre në aspektin civil. Duke pasur një model të tillë, unë besoj që ne do të fillojmë ta vendosim sistemin e drejtësisë, dhe kryesisht atë të gjyqësorit në një rrugë e cila është qartazi e hapur dhe e mundshme për të kthyer këtë vizion dhe këtë faqe, që sot është një shqetësim dhe një sfidë e vërtetë për shoqërinë shqiptare, por edhe përtej shoqërisë.

Zëri i Amerikës: Le të ndalemi tek ajo që theksuat në fillim, se duhet rikthyer besimi tek vetë gjyqtarët. Rasti i fundit i gjykatësit të Durrësit, që la të lirë një person të dyshuar, i cili tani akuzohet për vrasjen e një komisari policie, është ndër më të rëndët për drejtësinë shqiptare. Gjykatësi në fjalë po hetohet sot nga prokuroria për shkelje. Por shumë njerëz thonë se ky nuk është rasti i vetëm i shkeljeve, por ka edhe shumë të tjera si ky dhe shtrojnë pyetjen përse drejtësia nuk është kujtuar më parë për këto raste? Si do i përgjigjeni ju këtyre shqetësimeve dhe çfarë mund të bëni ju për ta ndryshuar këtë situatë, për të patur gjykatës cilësorë?

President Bujar Nishani: Ajo çka mund t’u them unë qytetarëve shqiptarë është se si e shoh unë, tashmë si kreu i KLD-së, këtë rast konkret apo raste të tjera që mund të jenë të ngjashme me to. Ka të bëjë shumë mënyra e organizimit dhe e orientimit të vëmendjes dhe të prioriteteve në kuadrin e inspektimeve që kryen Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Së pari ne duhet të kemi një procedurë jo vetëm transparente por qartazi të përcaktuar në kritere, e cila jo vetëm do të krijojë mundësinë për të inspektuar dhe për të vërtetuar të gjitha shkeljet, por nga ana tjetër të japë dhe garanci për mospasjen e mundësive për të abuzuar me fuqinë e inspektimit apo për të ushtruar më pas presione të padrejta ndaj gjyqtarëve shqiptarë. Pra jemi të orientuar për të ecur paralelisht në të dyja këto drejtime. Pikërisht, këtu ka qenë dhe fokusi që, pak kohë më parë, patëm një nënshkrim të një memorandumi midis ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së për inspektimet. Nga ana tjetër, po punohet ngushtësisht edhe me institucione të tjera, në mënyrë të tillë dhe unë do ta orientoj Këshillin e Lartë të Drejtësisë të bashkëpunojë ngushtë edhe me prokurorinë për të patur një rrjet komunikimi dhe shkëmbimi të informacioneve të të gjitha praktikave gjyqësore që lidhen me lidhen me fenomene të tilla. Koordinimi mes institucioneve do të jetë një element i rëndësishëm, me të cilin jo vetëm që do të ndihmojmë njëri-tjetrin - pra çdo institucion në përmbushjen e misionit të tij do ta bëjë më transparente punën - por do të bëhet pengesë edhe për shfaqen e rasteve të tilla, të cilat kanë ardhur vetëm për shkak të abuzimit.

Zëri i Amerikës: Zoti President, kushtetuta ju jep ju një rol për të dalë mbi palët, për të qënë faktor i unitetit kombëtar. Si mendoni ta luani këtë rol?

President Bujar Nishani: Jam tërësisht i gatshëm dhe ofroj të gjithë angazhimin tim, përtej vullnetit të padiskutueshëm, për të qenë i gatshëm në çdo moment që palët politike të kërkojnë angazhimin e Presidentit në çdo formë që ata do ta gjykojnë. Por ajo që është më kryesore, në këtë moment, ka të bëjë me faktin që Presidenti duhet realisht të fitojë besimin e opinionit publik, duke qëndruar më së pari jashtë luftës politike të palëve, duke mos u përdorur nga asnjëra palë kundër tjetrës, duke monitoruar me kujdes mënyrën e funksionimit të institucioneve mbi të cilat ka influencë dhe lidhje Presidenti i Republikës, që askush prej këtyre institucioneve të mos përfshihet brenda luftës politike. Ashtu siç duhet njëkohësisht që Presidenti i Republikës, në çdo rast që mendon se nevojitet, të adresojë një mesazh të caktuar qytetarëve shqiptarë por edhe klasës politike, pa marrë parasysh se në çfarë rasti mund t’i pëlqejë njërës palë apo palës tjetër, por duke qenë i bindur në drejtësinë e mesazhit Presidenti i Republikës të jetë prezent në komunikimin me opinionin publik, në komunikimin me të gjitha palët. Vetëm kështu unë besoj se Presidenti do të arrijë të fitojë besimin, në rradhë të parë, të opinionit publik por edhe të palëve. Jam tërësisht i angazhuar që të hyj dhe të veproj me këtë filozofi.

Zëri i Amerikës: Si mendoni ta siguroni ju besimin e të gjitha palëve se do të jeni i paanshëm ndërkohë që opozita, duke përmendur dy vendimet e para që morët si president, atë për këshillin e lartë të drejtësisë dhe për kryetarin e Shish-it, është shprehur se nuk ka besim tek ju. Si do ta bindni ju opozitën që do të jeni i paanshëm?

President Bujar Nishani: Bindja fillon nga sjellja konstitucionale dhe ligjore e Presidentit të Republikës. Të gjithë ne duhet të bindemi dhe të respektojmë sjelljen e institucioneve bazuar vetëm mbi të drejtën dhe detyrimin kushtetues të çdo institucioni. Në të dyja rastet Presidenti i Republikës ka përmbushur në mënyrë më korrekte të mundshme detyrat e tij kushtetuese, pa devijuar aspak dhe pa interferuar në asnjë afilacion apo ndjeshmëri politike. Qoftë në rastin e kreut të Shërbimit Informativ, i cili është një institucion që nuk varet nga Presidenti i Republikës por që duhet të bashkëpunojë ngushtësisht me Këshillin e Ministrave për çështje madhore, ku më së pari qeveria shqiptare është përgjegjëse, siç është çështja e sigurisë kombëtare dhe Agjencia e Shërbimit Inteligjent është një agjenci në shërbim të arritjes së sigurisë kombëtare. Po ashtu dhe në rastin e nënkryetarit të KLD-së, është një praktikë e zbatuar në vite ku parlamentit i jepet e drejta të ketë postin e nënkryetarit. Për më tepër, nënkryetari i KLD-së u propozua nga Presidenti i Republikës por vendimi për emërimin e tij u mor nga shumica absolute dhe konsensuale e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pra, nëse Presidenti i Republikës në të gjitha rastet do të mbështetet në sjelljen e tij, në veprimet e tij, në vendimmarrejn e tij, në çka përcakton kushtetuta, në respekt të ligjeve, padyshim që qytetarët në rradhë të parë do të bëjnë të mundur që ky besim mbi Presidentin e Republikës të vijë në mënyrë të natyrshme. Unë shpresoj dhe kam bindje të plotë që ky besim, kjo marrëdhënie e respektit të ndërsjellë midis institucioneve do të vijë duke u konsoliduar, për arsye se në rradhë të parë dhe mbi të gjitha Presidenti i Republikës nuk ka asnjë paramendim dhe asnjë prapamendim për të vepruar dhe për të ndërmarrë veprime të cilat dëmtojnë politikisht njërën apo tjetrën palë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ndërsa Shqipëria është sot në prag të marrjes së një përgjigjeje pozitive nga BE-ja për çështjen e statusit, palët në parlament nuk arritën dje të binin dakort për projekt-ligjin për Gjykatën e Lartë. A mendoni se është detyra juaj të luani një një rol për të afruar qëndrimet e palëve?

President Bujar Nishani: Absolutisht që Presidenti i Republikës duhet të jetë vazhdimisht i angazhuar në përçimin e mesazheve, ideve dhe qëndrimeve të cilat janë tërësisht në interes të vendit, të zhvillimeve aktuale por edhe të perspektivës së zhvillimit të vendit. Çështjet e reformës së drejtësisë unë i kam konsideruar dhe vazhdoj t’i konsideroj dhe besoj që dhe palët politike i konsiderojnë si kontribute jo për një qeveri të caktuar, jo për një President të caktuar, jo për një Kryeministër të caktuar, jo për një opozitë të caktuar, por për interesat e vendit. Ne flasim çdo ditë për nivelin e sistemit të drejtësisë dhe konsolidimi dhe mirëfunksionimit të sistemit të drejtësisë, padyshim që i paraprin infrastruktura legjislative. Ndaj dhe në rastin e Gjykatës së Lartë unë kam besimin e plotë se palët politike – mazhoranca dhe opozita – do të vijojnë të përmbushin angazhimet e tyre, detyrimet e tyre në raport me shoqërinë, mbi bazën e asaj përgjegjshmërie që ata kanë treguar kohët e fundit dhe që është për t’u përshëndetur.
XS
SM
MD
LG