Lidhje

Presidenti Nishani: Besojmë në dialogun mes civilizimeve


Në fjalimin që mbajti dje pasdite në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani iu referua mes të tjerash veprimeve ekstremiste të nxitura nga publikimi i një videoje ku fyhej feja myslimane. Ai tha se shoqëria shqiptare me myslimanë e të krishterë, shpreh indinjatën e saj duke e injoruar gjithë këtë gjë pa kuptim. “Na vjen keq, tha zoti Nishani, që në disa pjesë të botës, kjo ngjarje nuk u përcoll me një reagim të njëjtë. Përkundrazi, u përdor për të ushqyer dhunën e verbër të turmave të zemëruara e pashpresë – gjë që solli pasoja fatale.

Format e terrorizmit, veprimet ekstremiste të grupeve të izoluara dhe me qëllime të këqia, tha Presidenti Bujar Nishani, kurrë nuk duhen identifikuar me sjelljen e shoqërive dhe qeverive të tëra. Asnjë lloj zemërimi i përligjur, tha ai, nuk mund të justifikohet me veprime të paligjshme dhune, të cilave qeveritë, shoqëritë, udhëheqësit politikë dhe fetarë duhet t’u kundërvihen me forcë.

Presidenti Nishani tha se vendi i tij i dënon me indinjatë veprimet terroriste kundër legatës amerikane në Libi dhe bën thirrje për ndëshkimin e autorëve. Ai tha gjithashtu se Shqipëria dënon çdo lloj veprimi të shprehur nëpërmjet protestash të dhunshme kundër ambasadave perëndimore.

Zoti Nishani tha se Shqipëria mbetet një vend që beson fort në dialogun mes civilizimeve. Dialogu mes kulturave dhe civilizimeve të ndryshme, tha ai, duhet parë si një proces i vazhdueshmë që kërkon përkushtim, vullnet të mirë dhe kujdes.
Presidenti i Shqipërisë foli edhe për rolin e shtetit të Kosovës në Ballkan të cilin e përshkroi si një faktor të rëndësishëm të paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon. Ai u bëri thirrje vendeve, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të marrin parasysh realitetin e pakthyeshëm në rajonin e Evropës Juglindore. Njohja e Kosovës, tha Presidenti Nishani, është një akt drejtësie dhe kontribut për paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan.
XS
SM
MD
LG