Sistemi arsimor i Shqipërisë nisi sot vitin e ri shkollor 9-vjeçar dhe të mesëm. Mbi 650 mijë nxënës u rikthyen klasave dhe librave në 9 vjeçare dhe gjimnaze pas pushimeve të verës. Ndërsa 56 mijë fëmijë të vegjël shkuan në klasat e para për të mësuar Abetaren. Presidenti Bamir Topi përshëndeti nxënësit për ditën e parë të mësimit nga shkolla e mesme “Petro Nini luarasi”.
Presidenti Topi u bëri thirrje nxënësve që të mbrojnë dhe të vazhdojnë traditën e shkollës shqiptare, si edhe të ndjekin progamet moderne mësimore. “Kjo shkollë mban emrin e një rilindasi të madh. Kjo shkollë ka edhe vetë një traditë të mirënjohur. Nga kjo shkollë kanë dalë një numër i madh personalitetesh që kanë punuar për kombin dhe popullin. Ju, nxënësit e rinj duhet ta pasuroni këtë traditë, të keni mirënjohje për prindërit dhe për mësuesit tuaj dhe të arrini rezultate sa më të larta në mësimin e programeve bashkëkohore. Kështu ju do të arrini ritmin e zhvillimit dhe të ardhmes” - tha presidenti Topi.
Në këtë vit të ri parauniversitar një numër shkollash janë pajisur me laboratore kompjuterike dhe laboratore shkencore, por një pjesë e tyre kanë probleme dhe mangësi teknike. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, uroi fëmijët për ditën e parë të shkollës nga klasa e tij e fëmijërisë. Zoti Basha premtoi në shkollën “Skënder Çaçi” më shumë investime për ruajtjen e shkollave, riparimet e shumta higjeno-sanitare dhe ndërtimin e 6 shkollave të reja. “Krahas gjashtë shkollave të reja, bashkia do të rritë sigurinë rrugore pranë shkollave, do të investojë në ujin e pijshëm dhe mjediset e brendshme të tyre” - tha ai.
Shqipëria ka 376 gjimnaze dhe 1749 shkolla 9-vjeçare. Mësimi në to do të zhvillohet me dy turne, sidomos në shkollat e mbingarkuara të kryeqytetit, ku janë afruar edhe një numër i madh banorësh nga gjithë Shqipëria. Ky numër i madh familjesh ka bërë të domosdoshme ndërtimin e shkollave të reja në kryeqytet, sepse klasat janë të mbushura nga 35-39 nxënës.