Lidhje

Shkodër, 12 vjeçari autor i tre romaneve fantastiko-shkencorë


12 vjeçari Aldo Kodra sapo ka publikuar romanin e tij të tretë “Xhuxhi dhe gjithçka mbi Universin”, libër ky i zhanrit fantastiko-shkencor. Nxënës i klasës së shtatë, të shkollës austriake në qytetin e Shkodrës, Aldo njihet mes bashkëmoshatarëve për pasionin për librin dhe fantashkencën.

Një 12 vjeçar, autor i tre romaneve me fantastiko-shkencorë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

“Në gjeneratën e sotme fantashkenca mbizotëron dhe është një lloj fushe shumë e pëlqyer për të gjithë fëmijët, edhe për mua. Jam bazuar edhe tek librat dhe filmat me fantashkencë dhe kam krijuar një lloj stili unik, që ka për bazë fantashkencën”.

Aldo thotë se që në moshën 8 vjeçare ishte një lexues i zjarrtë, pasion që vazhdon t’a ruajë edhe tani, kur ka botuar tre libra. Ishin librat që e shtynë atë, krejt papritur, të shkruajë faqe pas faqeje librin e tij të parë “Heronjtë e vegjël”. Në qendër të tre librave të 12 vjeçarit Kodra janë 10 fëmijë, bashkëmoshatarë të tij, të gërshetuar me shumë personazhe të fantashkencës, pjesë e fantazisë së tij.

Përveç leximit dhe shkrimit, 12 vjeçari Kodra ka pasion edhe pianon e cila, thotë ai, e ndihmon në procesin krijues, duke e futur në botën magjike të fantashkencës, nëpër labirintet e saj, ku imagjinata ime, shton ai, nuk ka kufij.

“Unë mbështetem në ngjarjet e përditëshme, i gërshetoj me elemente fantastike dhe, nga ky brum i bërë, krijohet një recetë me këto personazhe. Gjatë çdo veprimi, çdo gjëje, në mendjen time ka labirinte, të cilat krijohen në atë moment dhe, në atë labirint, mund të ketë çdo gjë, ku futen edhe këto personazhe”.

Poeti Lazër Kodra, duke vlerësuar procesin krijues dhe pasionin e Aldos për librin dhe letërsinë, thotë se ai është një shembull për të gjithë bashkëmoshatarët e tij, duke krijuar besim për të ardhmen.

“Kjo është përgjigja ma e mirë që mund t’i jepet mendimit të krijuar në opinionin shqiptar se ky vend nuk bahet. Në qoftë se ne do të respektojmë dhe do të mbështesim njerëz të tillë si Aldoja, kjo asht përgjigja ma e mirë se ky vend mund të bahet”.

Gjatë promovimit të librit të tij të tretë, “Xhuxhi dhe gjithçka mbi Universin”, Aldo pati edhe një porosi për bashkëmoshatarët, shumë prej të cilëve po e harxhojnë kohën në celular apo kompjuter.

“Teknologjija nuk mund të zëvendësojë jetën tonë. Është shumë e nevojshme dhe e dobishme, por libri është një thesar më i çmuar, për të cilin duhet kujdesur dhe pasur nevojë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG