Lidhje

Një studim i ri zbulon gjenin shkaktar të Diabetit të Tipit 2


Një studim i ri zbulon gjenin shkaktar të Diabetit të Tipit 2
Një studim i ri zbulon gjenin shkaktar të Diabetit të Tipit 2

Më tepër se 200 milionë njerëz në botë vuajnë nga diabeti i Tipit 2, një çrregullim i rëndë e ndoshta vdekjeprurës, që kufizon aftësinë e trupit për ta shndërruar sheqerin në energji. Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon që vdekjet e shkaktuara nga diabeti të dyfishohen deri në vitin 2030. Por një studim i ri mund të ndihmojë në ndryshimin e kësaj prirjeje. Studimi ka gjetur një ndryshim të veçantë të gjenit në rreth 10 për qind të njerëzve me Diabetin e Tipit 2 në SHBA dhe në Evropë. Studimi le të kuptohet se të paktën disa njerëz mund të mësojnë në se janë të rrezikuar të kenë diabet, që do të thotë se ata mund të kërkojnë trajtim në fazat e para dhe ndoshta të shmangin prekjen nga kjo sëmundje.

Diabeti është një sëmundje që prek njerëzit si në vende të varfëra, edhe në ato të pasura. Statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se më tepër se 80 për qind e vdekjeve nga diabeti ndodhin në vendet me të ardhura të pakta dhe mesatare. Mosha dhe obeziteti janë dy faktorë rreziku për Diabetin e Tipit 2. Një tjetër faktor është historia familjare. Dr. Ira Goldfine ka studjuar ADN-në e njerëzve me dhe pa diabet.

”Diabeti është një sëmunjde tepër e rëndësishme, e cila po shtohet në çdo vend të botës. …Dhe ne duhet ta dijmë se çfarë e shkakton atë. Duhet të gjejmë mjekime më të mira për këtë sëmundje.”-thotë studjuesja.

Kur një person ka Diabet të Tipit 2, trupi nuk është i aftë ta shndërrojë sheqerin në energji. Kur sheqeri krijon rezerva në gjak, kjo mund të shkaktojë komplikacione të rënda, përfshi vdekjen. Kjo është arsyeja përse njerëzit me diabet duhet të masin nivelin e sheqerit në gjak.

Dr. Artur Lyons u diagnostikua me Diabetin e Tipit 2 tre vjet më parë:

“Unë duhet ta bëj analizën e gjakut çdo ditë për t’u siguruar që e kam relativisht normal nivelin e sheqerit në gjak.”

Në studimin e tyre mbi ADN-në, Doktoresha Goldfine dhe kolegët e saj zbuluan diçka të re.

”Ne zbuluam një proteinë, e cila është e rëndësishme dhe se njerëzit me diabet e kanë difektin pikërisht tek kjo proteinë”- thotë ajo.

Gjeni që krijon këtë proteinë quhet HMGA-1. Kjo proteinë është e rëndësishme, sepse ajo shërben si mjet lidhës i insulinës, që bën të mundur që insulina të lidhet me qelizat e mëlçisë dhe ta shndërrojë sheqerin e gjakut në energji.

“Kur njerëzit nuk e kanë gjenin HMGA-1, ata nuk e prodhojnë ndërlidhësin e insulinës dhe në se nuk e prodhojnë atë, insulina nuk luan rolin e duhur,”- thotë mjekja.

Doktoresha Goldfine është një nga bashkautorët e studimit që zbuluan mutacionin e proteinës HMGA-1 në disa Italianë me diabet. Më pas studjuesit i përsëritën studimet me pacientë amerikanë dhe francezë. Të gjithë pacientët ishin të bardhë. Ata zbuluan se rreth 10 për qind të personave me Diabetin e Tipit 2 në SHBA dhe Evropë, pra të gjithë të racës së bardhë, kanë difekte të këtij gjeni.

“Tani ne bëjmë një analizë të veçantë, e cila identifikon njerëzit me difekte të këtij gjeni dhe familjarët e tyre, në mënyrë që të fillojmë trajtimin e tyre që në fazat e para,”- thotë mjekja.

Ndërhyrja e hershme tek njerëzit me mutacionin HMGA-1 përfshin ndryshime në stilin e jetesës: ushtrime të mjaftueshme fizike, ruajtjen e peshës normale dhe matjen e sheqerit në gjak, për të parandaluar që disa njerëz të preken nga diabeti i tipit 2. Studjuesit po ashtu thonë se e kuptojnë që komponenti gjenetik i kësaj sëmundjeje mund t’i ndihmojë mjekët të sigurojnë trajtimin më të mirë të pacientëve me Diabetin e Tipit 2, apo ndoshta një ditë ta korrigjojnë difektin e gjenit, duke parandaluar kështu këtë sëmundje të trashëguar. Studimi u publikua në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë.














XS
SM
MD
LG