Lidhje

Një ushtar shqiptar vritet dhe një tjetër në gjendje kome nga sulmi në Kandahar


Një ushtar shqiptar vritet dhe një tjetër në gjendje kome nga sulmi në Kandahar
Një ushtar shqiptar vritet dhe një tjetër në gjendje kome nga sulmi në Kandahar

Një oficer i ushtrisë shqiptare, Feto Vogli, mbeti i vrarë gjatë ditës së djeshme në Afganistan, ndërsa një tjetër ushtarak Aleksandër Peci ndodhet në gjendje kome, pas një sulmi të papritur ndaj njësisë amerikano shqiptare në Kandahar ku ata bënin pjese. Sipas Ministrisë shqiptare të Mbrotjes ata u qëlluan nga një njësi policësh afgan në rrethana të cilat janë ende të pasqaruara. Presidenti Bamir Topi i cili foli për një akt të terrorist u takua në mbrëmje me drejtuesit më të artë të ushtrisë shqiptare, ndërsa kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me ministrin Arben Imami dhe shefin e shtabit të përgjithshëm. Zoti Berisha mori një telefonatë nga komandanti i misionit ndërkombëtar ISAF i cili i shprehu ngushëllimet për vdekjen e oficerit Vogli. Kryeministri ka garantuar se Shqipëria është e vendosur të japë kontributin e saj në misionin ndërkombëtar të paqes në Afganistan.

Shqipëria u trondit dje pasdite nga njoftimet e mbërritura nga Afganistani ku një njësi ushtarake amerikano shqiptare u bë objekt i një sulmi nga një grup policësh afganë. Fillimisht u fol për dy të vrarë, oficerin Feti Vogli me gradën kapiten, dhe Aleksandër Pecin, nëntetar. Në mbrëmje një njoftim i ri e lehtësoi disi peshën e ngjarjes së rëndë. Nëntetar Peci ishte ende në jetë, ndonëse në gjendje kome.

Ushtarakët shqiptarë ndodheshin në fshatin Rabat duke shoqëruar dhe siguruar një mision të USAID-it i cili po zhvillonte një takim për të parë mundësitë e ndërtimit të dy shkollave dhe një qendre shëndetësore atje. Papritur dhe në rrethana ende të paqarta, ata janë gjetur nën breshërinë e armëve. Të paktën 5 automatikë dhe në mitraloz i lehtë kanë qëlluar drejt tyre, duke plagosur rëndë dy ushtarakët shqiptarë si dhe një pjestar të forcave amerikane, të cilët janë dërguar menjëherë në spital. Vogli nuk ka mundur të mbijetojë. Peci, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe deri mbrëmë vonë ishte në luftë mes jetës dhe vdekjes në gjendje kome. 11 pjestarë të policisë afgane, të përfshirë në sulm u arrestuan dhe hetimet pritet të zbardhin arsyet e aktit vrasës.

Shqipëria është ndër vendet e para që ju bashkua misionit ISAF në Afganistan që prej vitit 2002. Madje, ajo ka dërguar dhe ekspertë të policisë për të trajnuar njësitë afgane. Kjo është hera e parë që ushtarakët e kontingjenteve shqiptare humbasin jetën. Kapiten Vogli kish qenë dhe më parë në misione jashtë vendit, ndonëse vetëm 31 vjecar. Peci, është akoma më i ri, 24 vjeç dhe për të kjo ishte eksperienca e parë jashtë vendit. Të dy ishin nisur për në Afganistan më 16 janar. Autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të vendit reaguan për ngjarjen, duke vlerësuar atë që e cilësuan si një akt heroik të ushatarakëve shqiptarë. Që nga kreu i shtetit e deri te udhëheqësit politik ishin në të njejtën linjë në mesazhet e tyre të ngushëllimit për familjen e kapitenit Vogli dhe mbështetjen ndaj vepimtarisë së forcave të ushtrisë shqiptare.

Presidenti Bamir Topi e quajti “një akt të rëndë terrorist” sulmin ndaj komandove shqiptare duke kërkuar ndëshkimin e autorëve e “duke inkurajuar dhe përgëzuar Forcat e Armatosura shqiptare për përmbushjen e misionit të tyre të guximshëm e vetëmohues”, thuhet në mesazhin e presidentit. Kreu i shtetit ka zhvilluar gjithashtu edhe një takim me drejtuesit më të lartë të ushtrisë shqiptare, për t’u njohur me rrethanat e sulmit. Ai ka patur nje bisedë telefonike edhe me komandantin e kontingjentit shqiptar në Afganistan gjatë së cilës ka theksuar se “profesionalizmi dhe trimëria e ushtarakëve i bën krenarë të gjthë” e duke i siguruar ata se “në këto momente të vështira, gëzojnë gjithë mbështetjen e popullit shqiptar”.

Për “një sulm të pabesë” është folur në takimin që kryeministri Sali Berisha zhvilloi në Ministrinë e Mbrojtjes me ministrin Arben Imami dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare Xhemal Gjunkshi. Kryeministri gjithashtu i dërgoi mesazh ngushëllimi familjes së oficerit që humbi jetën duke nënvizuar se“shpirti i tij do të prehet në altarin e lirisë së kombit shqiptar dhe kombit afgan, për të cilën flijoi jetën e tij”. Ai pati po ashtu një bisedë telefonike me komandantin e kontingjentit shqiptar në Afganistan

Komandanti i ISAF, Gjenerali amerikan John Allen i telefonoi mbrëmë kryeministrit Berisha duke e garantuar se “do të bëhet gjithçka që autorët e këtij akti të marrin ndëshkimin e merituar ligjor”, ndërsa nga ana e tij zoti Berisha konfirmoi se trupat shqiptare “do të përmbushin me sukses të gjitha detyrimet e misionit të tyre historik dhe se Shqipëria është e vendosur të japë kontributin e saj në këtë mision”.

Kryetari socialist Edi Rama foli për “një tragjedi që ka rënë jo vetëm mbi familjet e dy ushtarakëve shqiptarë, por mbi të gjithë ne”, shprehet ai duke theksuar se sipas tij, kjo ngjarje përbën “arsye tejet të forta më shumë që Shqipëria ta vazhdojë edhe me më shumë vendosmëri betejën e saj krah për krah me Shtetet e Bashkuara e me të gjitha forcat e NATO-s, kundër fashizmit të këtij shekulli që në Afganistan e gjetkë përpiqet të ndërtojë bazat për të terrorizuar e tjetërsuar botën e lirë”, shkruan zoti Rama në mesazhin e tij.

XS
SM
MD
LG