Lidhje

Njëvjetori i 21 janarit; hetimi vazhdon, bashkë me akuzat qeveri-opozitë


Njëvjetori i 21 janarit; hetimi vazhdon, bashkë me akuzat qeveri-opozitë
Njëvjetori i 21 janarit; hetimi vazhdon, bashkë me akuzat qeveri-opozitë

Një vit pas përleshjeve të dhunshme të 21 janarit, ku humbën jetën 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra civilë dhe ushtarakë, qeveria dhe opozita ende vazhdojnë të shkëmbejnë akuza mbi përgjegjësitë, ndërsa prokuroria ende nuk i ka mbyllur hetimet. Kryeministri Sali Berisha akuzoi në mediat vendore Presidentin Bamir Topi dhe Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, se “ata në bashkëpunim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, u përpoqën një vit më parë të rrëzonin me dhunë një qeveri të zgjedhur në rrugë demokratike”.

Kryeministri Berisha deklaroi në televizionin Vizion Plus se ai kishte “informacion të besueshëm se këta tre zyrtarë dhe politikanë të lartë bashkëpunuan ngushtë për të përmbysur qeverinë e tij përmes dhunës së organizuar që rrethoi për disa orë selinë e qeverisë”.

Zoti Berisha tha kish shprehur keqardhjen dhe ngushëllimet e tij për 4 personat që humbën jetën në këtë tubim të dhunshëm, dhe se mbetej i hapur për çdo hetim, edhe pse e dinte se drejtuesja e hetimeve ishte e njëanshme dhe e përfshirë në ato veprime kundër qeverisë. Ai tha se edhe pas një viti prokuroria ende nuk ka akuzuar asnjë organizator politikan të tubimit të dhunshëm, ndërkohë që synoi të arrestonte gjithë komandën e Gardës Kombëtare qysh mbrëmjen e 21 janarit. Zoti Berisha tha se forcat e rendit dhe gardistët kryen detyrën, por theksoi se “nuk ka patur asnjë urdhër nga asnjë zyrtar për të hapur zjarr ndaj protestuesve, që sulmuan me zjarr, gurë dhe armë policinë dhe ushtarakët”.

Partia Socialiste e opozitës pritet të zhvillojë sot ceremoni përkujtimore në nderim të personave që humbën jetën në 21 janar. Organizatorët besojnë se prania e qytetarëve nga Tirana dhe qytete të tjera do të nxiti zbardhjen e kësaj ngjarjeje nga prokuroria, vendosjen e drejtësisë. Opozita ka kërkuar që drejtësia të thotë sa më parë fjalën e saj për këtë ngjarje, ndërkohë që hetuesve sapo u kanë ardhur të dhënat e fundit nga laboratorët e FBI në Uashington që lidhen me prova ligjore e balistike.

Përfaqësues të diplomacisë amerikane konfirmuan se tashmë është plotësuar pjesa më e madhe e kërkesave të hetuesve shqiptarë për asistencë teknike nga ana e ekspertëve amerikanë. Ata pohuan se ky është një hetim shqiptar dhe se mbështetja amerikane ka të bëjë me aspekte shkencore dhe ndihmë teknike për një hetim të plotë, të pavarur dhe gjithpërfërshirës nga prokuroria shqiptare.

XS
SM
MD
LG