Lidhje

Nju Jork: Jeremiç dhe Hoxhaj versione të ndryshme për veriun


Nju Jork: Jeremiç dhe Hoxhaj versione të ndryshme për veriun
Nju Jork: Jeremiç dhe Hoxhaj versione të ndryshme për veriun

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u zhvillua debati i radhës lidhur me Kosovën, i cili u përqendrua tek gjendja në veriun e vendit, pas incidenteve me dhunë që kanë ndodhur atje ditët e fundit.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç e quajti gjendjen e sigurisë në Kosovë të rënduar, si pasojë e incidenteve në veri. Ai kritikoi ato që ai i përshkroi si veprime të njëanshme nga ana e qeverisë së Kosovës.

Zoti Jeremiç ia hodhi fajin për gjendjen e tanishme në veri synimeve të qeverisë së Prishtinës për të marrë në dorë tërësinë territoriale të Kosovës. Ai bëri thirrje që barrikadat në veri të hiqen por e justifikoi ngritjen e tyre si mjet rezistence të popullatës. Zoti Jeremiç tha se Serbia ka dënuar përdorimin e forcës nga të dyja palët dhe bëri thirrje që të gjithë të angazhohen për dialog.

Lidhur me negociatat Prishtinë-Beograd, zoti Jeremiç përsëri fajësoi veprimet e njëanshme për faktin që bisedimet nuk kanë vazhduar normalisht, duke nënkuptuar këtu Prishtinën. Ministri i jashtëm serb foli edhe mbi të ashtuquajturën çështje të trafikimit të organeve dhe tha se meqenëse EULEX-i nuk ka kompetenca për të vepruar jashtë Kosovës, ai nuk është në gjendje të bëjë hetime të tilla. Ai tha se hetimet duhet të kryhen nga Kombet e Bashkuara.

Në diskutimin e tij, ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se përsa i përket veriut, gjendja atje kërcënon seriozisht paqen dhe sigurinë rajonale.

Status kuoja, tha ai, është toleruar që nga viti 1999 dhe në kundërshtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Zoti Hoxhaj tha se në veri veprojnë struktura paraushtarake dhe lulëzon krimi i organizuar. Ai e quajti veriun e Kosovës rastin e vetëm në Evropë ku nuk bëhen zgjedhje të lira, një vrimë të zezë që kërcënon sigurinë rajonale.

Ministri i jashtëm i Kosovës tha se qeveria e Prishtinës ka kontribuar dhe ka investuar në projekte të ndryshme në veri por Beogradi i ka penguar me çdo mënyrë përpjekjet e saj.

XS
SM
MD
LG