Lidhje

Nxënësit nga Nju Jorku vizitojnë Shqipërinë


ny students
ny students

Rreth 60 nxënës nga një shkollë e mesme e Nju Jorkut do të jenë këto ditë në Shqipëri për t’u njohur me njerëzit dhe me kulturën e vendit. Nxënësit e shkollës Thornton-Donovan në New Rochelle kanë javë që përgatiten për këtë udhëtim dhe kanë mësuar pak nga të gjitha për kulturën, gjuhën, historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë.

Një grup nxënësish amerikanë përgatiten për vizitë në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:55 0:00

Për shumë prej nxënësve të shkollës Thornton-Donovan ky udhëtim do të jetë i paharruar.

“Shumë njerëz nuk e kuptojnë kur flasin për Shqipërinë. Por ky është një vend shumë dinamik, sidomos nga pikëpamja e muzikës,” thotë Liam Gorbutt, nxënës i shkollës Thornton-Donovan.

Mësuesi i muzikës, Alan Goodman, beson se ky do të jetë një udhëtim interesant. Nxënësit kanë mësuar disa këngë, shqiptare ose të vendeve të tjera.

“Këto këngë do t’i interpretojmë ndoshta në hollet e hoteleve, ndoshta mund të luajmë diçka spontane në rrugë, ndoshta në shesh, sepse çdo qytet ka një shesh kryesor,” thotë Goodman.

Shkolla private Thornton-Donovan i ngjan një kompleksi shtëpish. Kjo ka një arsye, thotë drejtori i saj Douglas Fleming, një njeri energjik, i cili do të udhëtojë bashkë me nxënësit në Shqipëri.

“Shtëpia është vendi ku ne jemi më të gëzuar se kudo. Në shtëpi ne ndihemi më rehat. Shtëpitë janë burim harmonie.”

Arsimi në Amerikë lindi në shtëpitë e zakonshme dhe kjo shkollë e ruan këtë traditë.

Shkolla zgjedh çdo vit një temë të caktuar. Për këtë vit tema është Shqipëria.

“Duke e bërë këtë, ne kuptojmë se si i zgjidh çdo vend problemet e tij në mënyra të ndryshme. Ndonjëherë ne mendojmë se mënyra jonë është më e mira, por sa më shumë udhëtojmë ne kuptojmë se njerëzit ose kanë zgjedhur mënyrën tonë ose e kanë gjetur rrugën e tyre përpara se ta gjenim ne,” thotë Fleming.

Zoti Fleming na tregon me krenari klasat e shpërndara në pesë ndërtesa. Është e lehtë të kuptosh rëndësinë që i jep kjo shkollë studimit të kulturave të tjera.

Almira Bubesi nga Shqipëria jep mësim këtu prej 20 vjetësh:

“Këtë vit jap historinë e arkitekturës shqiptare dhe në Ballkan, jap gjithashtu historinë e artit që mbulon Shqipërinë dhe Ballkanin dhe një lëndë që është historia e modës: tradita e veshjeve shqiptare dhe moda e re shqiptare.”

Pas mësimit, Almira jep edhe gjuhën shqipe për ata që duan ta mësojnë.

Katie Mason është njëra prej atyre që mësojnë shqip.

“Jam shumë e gëzuar sepse do të njihem me një kulturë krejt të ndryshme. Bashkë me katër të tjerë kemi mësuar pak shqip, si të porositim në restorant, pak nga kultura dhe gjeografia. Pra jam e gëzuar që do ta shikoj çdo gjë me sytë e mi,” thotë Katie.

Aleksa Pogaçe është nga Tirana dhe ka ardhur këtu për të përfunduar maturën. Ajo do të shkojë bashkë me grupin në Shqipëri.

“Të gjithë amerikanët janë shumë të entuziazmuar për lëndët që po bëjnë … Gjithë shoqet e mia kanë shumë qejf që po marrin pjesë kështuqë do të kënaqen.”

Ish kongresmeni Joseph DioGuardi e njeh mirë këtë shkollë, sepse ajo bën pjesë në zonën e tij të dikurshme elektorale.

“Ata do të shikojnë një vend të bukur. Ata do të habiten kur të shikojnë malet e larta të Shqipërisë, ashtu siç u habita unë kur shkova për herë të parë. Ata do të shikojnë bukurinë e vendit buzë Adriatikut,” thotë zoti DioGuardi.

Lucca Ardizzone-West ka shkruar një këngë që flet për dëshirën e saj të madhe për të shkuar në Shqipëri.

Me këngën “Albania” ajo fitoi një bursë për të ndjekur mësimet në këtë shkollë.

Udhëtimi nëpër Shqipëri do të zgjasë më shumë se 10 ditë dhe nxënësit e shkollës së mesme Thornton Donovan do të kthehen në SHBA më 6 maj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG