Lidhje

Nju Jork: Presidenti Topi nderon me medalje personalitete të diasporës


Shqipëri: Presidenti Topi kritikon ashpër forcat politike
Shqipëri: Presidenti Topi kritikon ashpër forcat politike
Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, nderoi mbrëmë në Nju Jork me medalje dhe urdhra 12 personalitete të diasporës. Në një ceremoni të organizuar nga Misioni i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, zoti Topi falenderoi figurat e shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe sidomos disa personalitet të klerit në diasporë. Ai foli gjithashtu për thyerjen e barrierave të komunikimit mes shqiptarëve, 100 vjet pas krijimit të shtetit.

Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi pati mbrëmë në Nju Jork një takim me komunitetin shqiptar, ku u shprehu mirënjohjen shqiptaro-amerikanëve për ndihmesën e tyre në krijimin dhe mbrojtjen e shtetit shqiptar, në nxitjen e tolerancës fetare dhe në afrimin më të madh mes shqiptarëve.


Zoti Topi tha se vlerësonte me nota të larta kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë në sfidat e vështira që kaloi kombi shqiptar në 100 vitet e fundit:

“Ky kontribut ka ardhur nga zemra dhe pa marrë parasysh vështirësitë e komunikimit, sepse për një periudhë shumë të gjatë shqiptarët kanë qenë të ndarë. Sigurisht e kanë vuajtur shumë shqiptarët brenda Shqipërisë atë izolim të thellë në periudhën e komunizmit, por e kanë vuajtur shumë edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë, e kanë vuajtur shumë ata që kanë qenë nën terrorin dhe gjenocidin serb në Kosovë, sigurisht edhe ata në Maqedoni e në mal të Zi”.

Presidenti Topi tha se sot, në 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, të gjithë këta kufij të ndarjes janë shpartalluar dhe kjo në sajë të kontributit të të gjithëve.

Ai foli edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në përparimin e shqiptarëve në Ballkan.

“Sot është rasti të themi që jemi aleatë në NATO, jemi partnerë strategjikë, dhe jemi vazhdimisht në një bashkudhëtim që do ta çojë Shqipërinë në arritje të reja”.

Presidenti Topi falenderoi figurat e shquara shqiptaro-amerikane, duke filluar me ato të klerit. Pesë nga personalitetet e nderuara mbrëmë pas vdekjes kanë qenë klerikë të tre besimeve që kanë ndihmuar në krijimin e institucioneve fetare të shqiptarëve të Amerikës.

Personalitetet dhe organizatat që u nderuan me medalje:

1. Sali Efendi Myftia – Medalja e Mirënjohjes (pas vdekjes)

2. Imam Vehbi Ismaili – Medalja e Mirënjohjes (pas vdekjes)

3. At Vasil Marko – Medalja e Mirënjohjes (pas vdekjes)

4. Peshkop Agathangjel Çamçe – Medalja e Mirënjohjes (pas vdekjes)

5. Dom Prek Ndrevashaj – Medalja e Mirënjohjes (pas vdekjes)

6. Antoni Athanas – Urdhri “Nënë Tereza” (pas vdekjes)

7. Van Sotir Kristo – Urdhri “Nënë Tereza”

8. Ilir Demalia – Medalja e Artë e Shqiponjës

9. Geraldo Rivera – Medalja e Mirënjohjes

10. Agim Karagjozi – Medalja e Artë e Shqiponjës

11. Elez Biberaj – Medalja e Mirënjohjes

12. Federata Panshqiptare “Vatra” – Urdhri Nderi i Kombit

Shumë nga ata që u nderuan, kanë punuar pa fjalë, shpesh në anonimitet, por janë dalluar nga ndershmëria dhe përkushtimi.

Kryetari i Vatrës, Gjon Buçaj u shpreh:

“E marr në dorë këtë dekoratë, në emër të atyre themeluesve, të cilët me idealizëm e formuan, atyre qindra mijëve që me idealizëm e mbajtën për një shekull Vatrën në shërbim të kombit”.

Van Kristo, veprimtar i vjetër i Vatrës nga Bostoni kujtoi një episod nga komuniteti i Amerikës:

“Kur isha i vogël po ecja në rrugë me tim atë. Takuam dy shqiptarë dhe kur po ndaheshim, ata u larguan duke uruar njëri-tjetrin: “Mot në Shqipëri”. Endrra e tyre ishte të punonin shumë në Amerikë, të fitonin para dhe të ktheheshin në Shqipëri për të jetuar”.

Ilir Demalia, ndër të parët që 22 vjet më parë kaluan kangjellat e ambasadave të huaja në Tiranë bëri këtë koment për Zërin e Amerikës:

“Si popull ne na mungon sot raporti me të vërtetën, në radhë të parë me veten. Unë mendoj se duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të shikojmë se çfarë kemi bërë. Ishim të fundit që dolëm nga komunizmi, jemi të fundit që duam të hyjmë në Europë dhe nuk e dimë”.

Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, Presidenti Topi bëri një urim.

“Një urim për 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, duke nderuar në radhë të parë etërit e kombit shqiptar, dhe duke nderuar këtë flamur që shkëlqen kaq bukur edhe këtu në mes të Nju Jorkut”.

XS
SM
MD
LG